Stuhia “Medea” shkakton viktima në Greqi

 

 

Dy persona humbën jetën të martën nga i ftohti që ka sjellë me vete stuhia “Medea” prej fundjavës.

Për shkak rrugëve të pakalueshme në ishujt pranë Athinës, ambulanca nuk mundi t’i vijë në ndihmë një 80-vjeçari që kishte probleme me frymëmarrjen, ndërsa në Kretë, një fermer në të 60-at u gjet pa shenja jete i mbuluar në borë.

“Shqetësim i madh është rrjeti elektrik, dhe na duhet ta zgjidhim sa më parë situatën në Evia pasi moti i keq do vazhdojë deri të mërkurën,” njoftoi kryeministri Kyriakos Mitsotakis pas një takimi urgjent me kabinetin.

Pesha e borës dhe erërat e forta rrëzuan dy ditë më parë qindra pemë dhe shtylla elektrike në ishullin e Evias dhe në Atikë, duke ndërprerë me disa orë energjinë.

Zona të tjera mësohet se kanë probleme me furnizimin me ujë.

Në rrugët kryesore lidhëse me Athinën u raportuan vështirësi në lëvizje, duke sjellë edhe anulimin e programit të vaksinimit ndaj koronavirusit në kryeqytet.

Të hënën u bllokua edhe trafiku me Selanikun, ndërkohë që Komisariati i OKB-së për Refugjatët shpërndau pajisje ngrohëse për mijëra azilantë të cilët strehohen në kampe.

Meteorologët thonë se stuhia “Medea” po largohet gradualisht nga territori qendror drejt Kretës, dhe temperaturat pritet të rriten pas të mërkurës./oranews

Back to top button