“Sulmi më i madh”, Kolshi paralajmëron për pasojat e moszbatimit të aktgjykimit për konstituimin e Kuvendit

(Lajm i përditësuar)
“Sulmi më i madh ndaj Republikës”, Kolshi paralajmëron për pasojat e moszbatimit të aktgjykimit
Melos Kolshi nga IKD në emisionin “Click” në RTV21 ka theksuar rëndësinë e respektimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ai theksoi se Gjykata nuk mund t’i detyrojë deputetët në mënyrë të detyrueshme, por vetëm mund t’i kërkojë atyre të votojnë pro ose kundër dhe të marrin pjesë në seancë, duke mos lejuar mungesën e tyre si një formë bllokade.
Kolshi paralajmëroi se mosrespektimi i këtij aktgjykimi përbën sulmin më të madh që mund t’i bëhet Republikës së Kosovës.
“Gjykata Kushtetuese nuk do t’i detyrojë deputetët në asnjë mënyrë apo formë. Nuk ka imponime, por vetëm kërkesën që ata të votojnë pro ose kundër, të shkojnë në Kuvend dhe të mos mungojnë. Një sulm direkt ndaj rendit kushtetues të Kosovës, një sulm që i bëhet kornizave ligjore. Mosrespektimi i aktgjykimit e dëmton direkt funksionimin demokratik dhe kushtetues. Ky është sulmi më i madh që mund t’i bëhet republikës sonë,” tha ai.
Kolshi: Pasojat e moskonstituimit të Kuvendit brenda 30 ditëve mbeten të paqarta
Melos Kolshi nga IKD në emisonin “Click” në RTV21 ka sqaruar hapat që pasojnë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ai theksoi se aktgjykimi hyn në fuqi ditën e publikimit dhe brenda 5 deri në 10 ditë pritet të bëhet publik vendimi i plotë.
Kolshi ngriti shqetësimin se njoftimi i Gjykatës nuk ka sqaruar pasojat që do të pasojnë nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit prej 30 ditësh.
“Gjykata Kushtetuese, pas njoftimit, brenda 5 deri në 10 ditë del me aktgjykimin e plotë, i cili pritet të hyjë në fuqi. Më pas lejohet të procedohet me konstituimin e Kuvendit. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, sipas njoftimit, hyn në fuqi ditën e publikimit. Një gjë që është e rëndësishme dhe që e kemi potencuar, është fakti se në njoftim nuk janë cekur pasojat se çfarë ndodh nëse nuk ndodh konstituimi i Kuvendit brenda 30 ditëve,” tha Kolshi.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?