Sulmi ndaj portierit, shkon në 5 numri i të arrestuarve

Deri tani janë arrestuar 5 persona të dyshuar për përfshirjen në sulmin e sotëm ndaj portierit të FC Ballkanit, Stivi Frashërit.
Për rtv21.tv e këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili ka treguar se dy nga të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë për veprën penale “Lëndim trupor”, ndërsa tre të tjerë “prishje e rendit dhe qetësisë publike”, rasti procedohet në procedurë të rregullt.
“Lidhur me rastin pjesëmarrja në turmë dhe huliganizëm, të ndodhur gjatë ndeshjes sportive të futbollit në Gjilan, Policia e Kosovës ka ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të arrestimit të personave të dyshuar dhe sjelljes së tyre para organeve të drejtësisë. Si rezultat i hetimeve intensive, deri më tani janë arrestuar pesë persona të dyshuar”, ka thënë Hashani.
Ai tutje ka treguar se hetimet dhe veprimet policore lidhur me rastin janë duke vazhduar.
“Të gjitha veprimet policore janë duke u ndermarrë dhe do të ndërmerren në vijim, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, ka shtuar Hashani.
Sot gjatë ndeshjes në mes Gjilanit dhe Ballkanit disa tifozë hynë në fushë dhe e kanë lënduar fizikisht, portierin e Ballkanit, Stivi Frashëri./21Media

Back to top button