Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pasi një grup i atletëve u sulmua me armë në pjesën veriore të Kosovës.

Ai ka thënë se është fat i mirë që nuk ka pasur të vrarë apo të plagosur nga kjo ngjarje.

“Me t’u njoftuar për ngjarjen, kam kërkuar nga Drejtori i Policisë së Kosovës që ky rast të hetohet sa më parë. Ky incident dhe të tjerët si ky, na tregojnë që sundimit i ligjit dhe gjendja e sigurisë publike në komunat Veriore të vendit si: Mitrovica Veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok nuk është në nivel të kënaqshëm”, ka shkruar  Sveçla në Facebook.

Ai ka premtuar se do të kërkojë nga Policia e Kosovës sa më shpejt të japin rezultate konkrete për të përmirësuar situatën në veri.

“Forcimi i rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit është synimi kryesor i yni. Këtë mendojmë ta adresojmë përmes dy drejtimeve: së pari duke luftuar krimin dhe kontrabandën në atë pjesë të vendit dhe së dyti duke rritur bashkëpunimin me qytetarët tanë të cilët jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, duke biseduar për shqetësimet e tyre të sigurisë, si dhe duke i adresuar ato”, ka shkruar Sveçla.

Në lidhje me këtë sulm ka reaguar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se ka thënë se  çdo qytetar i Republikës së Kosovës duhet të ndihet i lirë dhe i sigurt gjatë lëvizjes në secilën pjesë të territorit të Kosovës./21Media