Sulmi terrorist në veri, avantazh për Kosovën në dialog

Bashkimi Evropian tha se po pret përfundimin e hetimeve të rastit në Banjskë të Zveçanit, për të vendosur për masat e mundshme ndaj Serbisë, në rast se ajo ishte përfshirë në aktivitetin e grupit terrorist. Sulmi terrorist mbi Policinë e Kosovës po vlerësohet të jetë avantazh për Kosovën në proces të dialogut me Serbinë.

Përfaqësuesit e lëvizjes Vetvendosje thonë se faktori ndërkombëtar duhet t’i kërkojë llogari Serbisë.  Ndërkohë, opozitë kërkon nga Kurti që të dijë ta shfrytëzoi këtë avantazh në proces të dialogut.

Përfaqësues të vendeve anëtare të BE-se mësohet të kenë kërkuar vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë, në rast se vërtetohet se është përshirë në ngjarjet e së dielës në fshatin Banjskë të Zveçanit, kur një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra nga të shtënat me armë zjarri nga një grup, që u cilësua terrorist.. Zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano, tha se BE-ja  do të presë përfundimin e hetimeve të plota për sulmin terrorist të së dielës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, para se të marrë një vendim dhe konkluzione për çfarëdo mase dhe pasojë.

“Nuk është kompetencë ime të jap informacione nga bisedat konfidenciale dhe informacionin për mbledhjen e Komisionit për Politikë dhe Siguri të martën”, tha Stano.

Në Kosovë ndërkaq, deputeti i VV-së, Agon Batusha, tha për rtv21 se kjo që ndodhi në veri të vendit është avantazh për Kosovën në proces të dialogut. Sipas tij, BE-ja tashmë ka argumente të forta për qasjen e Serbisë ndaj Kosovës.

‘’kjo që ndodhi është argumet i mjaftueshëm në dialog. Në dialog kjo do të reflektohet sepse ndërkombëtarët po e kuptojnë tash se kryeministri Kurti kishte të drejtë”, deklaroi Batusha.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se Qeveria duhet të dijë ta shfrytëzojë avantazhin që është krijuar nga sulmet në veri në proces të dialogut.

‘’Serbia u dekonspiru për qasjen e saj ndaj Kosovës. Qeveria duhet ta shfrytëzoj këtë avantazh në proces të dialogut’, tha Time Kadrijaj.

Ndërkohë, ndërmejtës ndërkonbëtarë i kërkuan Kosovës dhe Beogradit rikthimin në bisedime pas ngjarjeve të së dielës.

Zëvendës sekretari amerikan i Mbrojtjes, Derek Chollet, bëri të ditur se biseduar në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq nga të cilët ka kërkuar që t’i kthehen  dialogut.

‘’Të dyja palët duhet të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe të zbatojnë angazhimet e Ohrit”, tha Chollet.

Por, deputeti i pushtetit, Agon Batusha, thotë se para se të nisin takimet me Serbinë, së pari duhet të diskutohet me aleatët e Kosovës për atë që ndodhi në veri.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se shumë shpejtë mund të ketë takim Kurti-Vuciq./21Media

Back to top button