Sulmohet Policia e Kosovës në Zveçan

(Lajm i përditësuar)

Policia e Kosovës është sulmuar të hënën në Zveçan nga protestuesit serbë, derisa një veturë po pantrullonte.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Kelani ka thënë se përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar.

“Mund të konfirmojmë se, një veturë policore e cila ka qenë me detyrë zyrtare duke patrulluar në drejtim të komunës së Zveqanit, është penguar dhe sulmuar me mjete te forta nga protestuesit. Si pasojë e sulmit me mjete të forta (gurë), veturës i është thyer xhami, e cila më pas është larguar nga ai lokacion”, ka thënë Kelani.

Policia tutje ka thënë se rasti është duke u hetuar.


Protestuesit bllokojnë një automjet të Policisë së Kosovës në Zveçan

Një automjet i Policisë së Kosovës sapo është bllokuar nga protestuesit në Zveçan.

Automjeti në të cilin ndodhen tre policë, gjatë patrullimit afër ndërtesës së komunës, sapo është vërejtur nga protestuesit të njëjtit i kanë dalë nga ana tjetër dhe e kanë bllokuar

Aktualisht tre policët janë dujke qëndruar në automjet dhe nuk janë duke ndërmarrë ndonjë veprim.

Ndërsa me të kuptuar situatën, numri i atyre që e kanë bllokuar automjetin po rritet.


KFOR-i largon disa tela gjemborë në Zveçan

Pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, i kanë hequr një pjesë të telave me gjemba që i ka vendosur ditë më parë, për të rritur sigurinë para komunës së Zveçanit.

Tani raportohet se kanë mbetur vetëm rrethojat e hekurta.


​Situatë e qetë në Zubin Potok, dhjetëra protestues para ndërtesës komunale

Dhjetëra qytetarë serbë në Zubin Potok janë duke qëndruar para ndërtesës së kësaj komune, duke protestuar kështu kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të komunave veriore, të dalur nga zgjedhjet e 23 prillit.

Për dallim nga komunat e Zveçanit dhe Leposaviqit, ku përballë protestuesve qëndrojnë pjesëtarët e KFOR-it, këtu para tyre ndodhen pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Vërehen edhe ushtarë të KFOR-it të cilët janë vendosur nëpër pika të ndryshme anash protestuesve.

Protestuesit janë ulur nëpër tenda dhe po dëgjojnë këngë serbe me përmbajtje nacionaliste kushtuar Kosovës.

Situata në këtë komunë aktualisht është e qetë.


Edhe nxënësit e shkollave fillore shihen në protestat në Zveçan

Nxënës të shkollave fillore në Zveçan janë mbledhur të hënën para ndërtesës komunale, po protestojnë serbët lokalë.

Ata kanë paralajmëruar se do të performojnë aty, por nuk dihet çka/rel


Kërkesat e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet eventuale

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka thënë të hënën se do të marrë pjesë në zgjedhje, që eventualisht do të mund të mbahen për komunat në veri, kur t’i plotësohen dy kushte.

Ajo ka thënë se forcat speciale të Policisë së Kosovës duhet të tërhiqen nga veriu i Kosovës, dhe që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Lista Serbe i ka bojkotuar zgjedhjet e mbajtura për kryetarë të komunave në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – dhe as nuk i njeh kryetarët e rinj shqiptarë.

Ata, bashkë me serbët lokalë në komunat Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, janë duke protestuar rregullisht, prej 29 majit, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

Duke folur për tensionet në veri, Lista Serbe ka thënë se çelësi për ulje të tensioneve është që të mos ketë forca speciale të Policisë së Kosovës në veri dhe që kryetarët, që ajo i konsideron “të paligjshëm”, të mos shkojnë në ndërtesat komunale.

Ajo e ka përmendur edhe nevojën për lirimin e dy serbëve të paraburgosur nga autoritetet e Kosovës, ditë më parë, gjatë përleshjeve në Zveçan.

Ata dyshohen për “veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “rrezikim të personave në mbrojtje ndërkombëtare” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.

Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.

Disa diplomatë kanë kërkuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

Zyrtarë të lartë të Kosovës kanë dhënë shenja se mund të ndodhë diçka e tillë.


Protestuesit serbë fillojnë të mblidhen në veri

Protestuesit në komunat veriore të vendit, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, kanë filluar të mblidhen edhe sot para ndërtesave komunale.

Nata e mbrëmshme ka kaluar e qetë në këto komuna.

Për dallim nga herat tjera, gjatë ditës së djeshme në komunën e Zubin Potokut nuk ka pasur protestues, ndërsa qytetarët serbë kanë festuar “Ditën e përkujtimeve”.

Pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesave komunale në ruajtje të rendit.

Aktualisht situata e përgjithshme në këto tre komuna paraqitet e qetë.

Back to top button