“Sunny Hill” në Tiranë, Rama: Kryekëput për shkak të zvarritjeve të Qeverisë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se mosmbajtja e Festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë është një lajm dëshpërues për qytetin si dhe për gjithë Kosovën.
Rama ka thënë se “Sunny Hill” është zhvendosur në Tiranë për shkak të zvarritjeve të Qeverisë.
“Arsyeja pse ky festival sot është i zhvendosur në Tiranë është kryekëput për shkak të zvarritjeve të Qeverisë, e cila pavarësisht se i gjithë procesi për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për festivalin është bërë në pajtim të plot me ligjin, institucionet qendrore kanë tentuar vazhdimisht të ndërhyjnë në kompetencat e Kuvendit Komunal dhe në kompetencat e Kryetarit të Komunës ashtu siç e konfirmoi dje edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës. Për fat të keq për çështje të tilla që fare nuk duhet të politizohen janë bërë përpjekje që për poena politikë të tentohet që vendimin ta rikthejnë në kuvend kundër vullnetit të shumicës së asamblesë e cila përfaqëson vullnetin e sovranit në Prishtinë”, ka deklaruar Rama sot në konferencë për media.
Rama tutje ka thënë se këto veprime janë të papranueshme dhe se zvarritja e Qeverisë i ka bërë dëm të madh artit, kulturës e po ashtu edhe ekonomisë së Prishtinës e të mbarë vendit.
Ai ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të ndërmarrë veprime të nevojshme dhe të konfirmojë ligjshmërinë e vendimit të Kuvendit të Komunës.
Festivali Sunny Hill nuk do të organizohet në Prishtinë, ka njoftuar më 14 qershor, Dukagjin Lipa, themelues dhe organizator i këtij festivali.
Ai tha se arsyeja e mosmbajtjes së festivalit në Prishtinë është “për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin”.
Edicioni i tretë i festivalit “Sunny Hill” ishte planifikuar të mbahej në Prishtinë nga 4 deri më 7 gusht 2022, por tashmë në këto data është zhvendosur në Tiranë./21Media