Supremja liron Naser Pajazitajn, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Është liruar me vendim të Gjykatës Supreme, Naser Pajazitaj i akuzuari për vrasjen e Donjeta Pajazitaj.

Lajmin për portalin rtv21.tv e konfirmoi zëdhënësja e Gjykatës Superme, Antigona Uka-Lutfiu.

Ajo bëri të ditur se vendimi është marrë sot nga Kolegji Penal i Gjykatës Supreme.

“Ju njoftoj se Kolegji penal i Gjykatës Supreme në seancën e mbajtur me datë 06 prill 2023, e ka liruar N.P., nga akuza për vrasje. Pas përpilimit të aktgjykimit brenda afatit ligjor, i njëjti do të bëhet publik”, thuhet në përgjigjen e saj.

Naser Pajzitaj, ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, në nëntor të 2015-ës.

Apeli e kishte ndryshuar vendimin, duke e ulur dënimin e tij në 35 vjet.

Sipas aktakuzës që ishte ngritur më 8 qershor 2017 nga prokurorja Valbona Disha Haxhosaj, Naser Pajazitaj akuzohej se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë“, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë dhe atë revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat. /21Media

Back to top button