Supremja pranon ankesën AAK-së për procesin e votimit në Junik

Kolegji i Gjykatës Supreme e ka pranuar si të bazuar ankesën e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me seli në Junik, dhe ka prishur vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të datës 15.10.2025.

Sipas njoftimit, çështja është kthyer në rivendosje, në PZAP.

“Pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte hedhur si të palejuar ankesën e subjektit politik AAK, kjo e fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke propozuar, mes tjerash që “të shpallen të paligjshme zgjedhjet komunale dhe Komuna e Junikut të shkojë në rivotim për shkak të shkeljeve të cekura në ankesë, të cilat kanë ndikuar në rezultatin zgjedhor””, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se Gjykata Supreme e Kosovës, nuk e ka pranuar si të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin e PZAP, lidhur me hedhjen poshtë si të palejuar të ankesës të parashtruar nga subjekti politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me seli në Junik, duke konsideruar se ankesa është dashtë të trajtohet në bazë të meritave dhe jo të hedhet poshtë si e palejuar.

Ndaj, Kolegji i Gjykatës Supreme, përmes aktgjykimit AA.nr.92/2025 ka kërkuar nga PZAP që në rivendosje, t’i evitojë shkeljet e evidentuara ligjore dhe të vendos në mënyrë meritore lidhur me ankesën e subjektit politik AAK.

Back to top button