Suspendohen katër zyrtarë policorë për rastin e vrasjes së gruas shtatzënë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se Drejtoria Rajonale e Prishtinës e ka zbatuar rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) për suspendimin e katër zyrtarëve policorë lidhur me vrasjen e  gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së.
Sveçla po ashtu bëri të ditur se të gjeturat e deritanishme do të përcillen në prokurori për trajtim penal
“Në takimin e mbrëmshëm të ftuar nga Presidentja, kam njoftuar se IPK është në fazën e fundit të hetimeve ndaj zyrtarëve policor që janë angazhuar në gjithë rastin e tashmë të ndjerës Hamide Magashi, veçanërisht për pjesën e zbatimit të Urdhërit Mbrojtës nga Stacioni Policor në Lipjan. Sapo jam njoftuar se nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se ka dyshime të bazuara për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”. Me këtë rast, IPK ka rekomanduar suspendimin e 4 zyrtarëve policor nga Stacioni Policor në Lipjan ndërsa nga Drejtoria Rajonale e Prishtinës është zbatuar ky rekomandim”, shkroi Sveçla në Facebook.
Vrasja e gruas shtatëzënë, Inspektorati Policor rekomandon supsendimin e i katër zyrtarëve policorë
Inspektorat Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e Komandantit të stacionit policor të Lipjanit, një rreshteri dhe dy hetuesve lidhur me rastin e vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë.
“Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar hetim paraprak mbi veprimet e ndërmarra policore në rastet që policia ka trajtuar ndaj të dyshuarit S.H për ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës’. Këto raste janë trajtuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë Ferizaj, përkatësisht Stacioni Policor Shtime, si dhe Stacioni Policor Lipjan i cili ka qenë i ngarkuar me zbatimin e Urdhër-mbrojtjes e palës së mbrojtur H.M”, thuhet në njoftim.
Inspektorati ka gjetur se lidhur me urdhër-mbrojtjen e shtatzënës, zyrtarët policorë kanë keqpërdorur pozitën dhe kanë falsifikuar dokument zyrtar
Hetuesit e IPK-së, si rezultat i ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, kanë arritur deri tek dyshimi i arsyeshëm, se lidhur me zbatimin e Urdhrit-mbrojtës nga ana e zyrtarëve te Stacionit Policor Lipjan, “ka elemente të veprave penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘Falsifikimi i dokumentit zyrtar'”.”, thuhet në njoftim
Sipas njoftimit nga veprimet hetimore deri më tani si të dyshuar për këto vepra janë katër zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Lipjan (Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues), thuhet në njoftim./21Media

Back to top button