Sveçla: Arrestimi i Radoiçiqit një veprim simbolik

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se arrestimi i ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiqi, është vetëm veprim simbolik i Serbisë për të dalë nga presioni i fuqive perëndimore.
Në një intervistë për televizionin kroat “RTL” Sveçla ka thënë se Kosova s’mund të ketë marrëdhënie të mira me Serbinë, derisa Serbia të sponsorizojë terrorizmin.
“Është më tepër lëvizje simbolike e Serbisë për të dalë nga presioni i fuqive perëndimore. Nëse e dimë që ky është një hap thelbësor dhe luftë kundër kriminelëve, atëherë të gjithë ata që ishin në grup duhet të arrestohen. Po ashtu ata duhet t’i dorëzohen drejtësisë së Kosovës dhe të dënohen për atë që kanë bërë në Kosovë”, ka thënë Sveçla.
Sveçla ka thënë se situata në veri të Kosovës po qetësohet “për shkak të veprimeve dinamike të policisë së Kosovës dhe shtimit të ushtarëve të KFOR-it, e po ashtu presioneve nga fuqitë perëndimore”. Por, ai thotë se nuk mund të merret si e mirëqenë kjo.