Sveçla deklarohet për aksionin e sotëm të policisë: Kushdo që tenton destabilizimin, e ka vendin në burg

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka dhënë detaje rreth askionit të sotëm të policisë për lokalizimin e të dyshuarve për grabitjen e argjendarisë në Suharekë.

Ai ka thënë se deri me tani janë arrestuar shtatë persona.

“Akte të tilla janë absolutisht të papranueshme dhe përgjigjja e vetme ndaj kriminelëve të tillë është sjellja para drejtësisë. Për këtë, Policisë së Kosovës i kam ofruar mbështetjen time të plotë institucionale si dhe kam kërkuar angazhim maksimal në zbardhjen e këtij rasti.

Sot jam njoftuar që Policia e Kosovës pas një pune intenzive hetimore ka lokalizuar plaçkitësit dhe ka realizuar operacionin e arrestimit të tyre. Njëri nga të dyshuarit ka shtënë drejt zyrtarëve duke plagosur një zyrtar policor dhe me këtë rast i njejti është neutralizuar. Deri më tash janë arrestuar shtatë persona ndërsa Policia është në kërkim të personit tjetër të përfshirë në këtë rast. Dy zyrtarëve policor të cilët janë plagosur dhe zyrtarit të lënduar në reagim dhe arrestim të të dyshuarve të këtij rasti ju uroj shërim të shpejtë.”, ka shkruar Sveçla.

Më tej ai është zotuar se krimet nuk do të mbesin pa u ndëshkuar.

“Vendi i kriminelëve është burgu, dhe ky është mesazh i qartë dhe i prerë që duhet të marrë kushdo që tenton që për çfarëdo arsye të destabilizojë sigurinë në vendin tonë.Krimet nuk do të mbesin pa u ndëshkuar sepse Republikën e Kosovës nuk do ta lejojmë të bëhet vend i pasigurisë.Rendi dhe ligji do të mbizotërojnë në çdo cep të saj.”, ka përfunduar ai./21Media

Back to top button