Sveçla: E kemi rritur 30% buxhetin për Policinë, kush e përdorë situatën për të zbehur angazhimet do të dështojë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas protestës që zhvilluan Njësitet më elitare të Policisë së Kosovës, bashkë me Sindikatën, para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se kanë bërë maksimumin që përbrenda mundësive ta trajtojnë secilin njësit të Policisë së Kosovës ashtu siç e meriton.

Sveçla ka thënë se nga marrja e mandatit e kanë rritur buxhetin për Policinë e Kosovës për 30%, ndërkaq në investime kapitale rritja, sipas tij, është prej 300%.

“Kushdo që në çfarëdo forme, për interesa personale apo grupore tenton të përdorë situata të ndryshme me qëllim të zbehjes së këtyre angazhimeve është i predispozuar që të dështojë.  Ne nuk do të ndalemi. Sepse ne jemi në rrugën e duhur dhe të drejtë”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.

Ai ka thënë se “sakrifica asnjëherë nuk mund të jetë pikënisje për të përkufizuar një shpërblim sepse kjo formë përveçse e dëmshme del të jetë gjithnjë e pamundur”.

Tutje, sipas tij, me marrjen e mandatit nga Qeveria Kurti, Policia e Kosovës, Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukture.

Njësitë speciale të Policisë së Kosovës kanë protestuar të shtunën pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në Prishtinë, për herë të dytë brenda rreth një muaji, duke bërë thirrje për përmirësim të përgjithshëm të kushteve të punës dhe duke shpalosur një varg kërkesash tjera./21Media 

Back to top button