Sveçla: Grupet kriminale serbe po synojnë të ngjallin frikë në veri

(Lajm i përditësuar)
Ministri i Punëve të Brendshëme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për sulmin ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës teksa po patrullonte në veri, sulm ky me armë zjarri nga persona të panjohur.
Sveçla tha se grupet kriminale të mbështetura nga Serbia po synojnë të shkaktojnë frikë e pasiguri në territorin e Kosovës.
“Edhe njëherë, Policia e Kosovës është gjuajtur me armë zjarri. Grupet kriminale të përkrahura nga Serbia synojnë ta ngjallin një atmosferë frike dhe pasigurie duke targetuar zbatimin e ligjit”, shkroi Sveçla në Twitter.
Sveçla ka shtuar se këta persona po synojnë ta kthejnë veriun e Kosovës në një zonë pa sundim të ligjit, por se, sipas ministrit, këto përpjekje janë të kota.
Policia sulmohet me armë në Zveçan
Sot një patrullë policore në Banjskë-Izvor të Zveçanit është sulmuar me armë zjarri.
Policia ka bërë të ditur se si pasojë e të shtënave nuk ka të lënduar, ndërsa janë shkaktuar dëme materiale në xhamin e veturës nga ana e shoferit, që sipas Policisë, dyshohet të ketë qenë edhe cak i sulmit me armë zjarri.
Policia ka thënë se janë marrë veprimet e nevojshme hetimore dhe është konstatuar se vetura është goditur me një predhë të armës së zjarrit.
Pas ngjarjes, rasti është iniciuar si vrasje në tentativë dhe sulm ndaj personit zyrtar./21Media