Sveçla: Kam kërkuar angazhim nga Policia, në mënyrë që autori i aktit makabër të arrestohet

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është shprehur i tronditur pas sulmit ndaj autobusit në Gllogjan të Deçanit, ku mbetën të vdekur tre persona.
“Lajme të tilla lëndojnë çdo zemër njerëzore. Jam thellësisht i shqetësuar dhe i tronditur prej aktit kriminal që ka ndodhur sonte në Gllogjan të Deçanit. Bashkëndjejmë me familjarët që kanë humbur të dashurit e tyre dhe lutemi për shërimin e të plagosurve” u shpreh Sveçla.
Tutje, Sveçla bëri të ditur se ka ndërprerë vizitën dhe aktivitetet e parapara në Shqipëri dhe është nisur për në Deçan.
‘Menjëherë e kam ndërprerë vizitën dhe aktivitetet e parapara në Shqipëri dhe jam rrugës për në Deçan. Ndërkohë, kam qenë dhe jam në telefon me drejtuesit e forcave të rendit, për pasojë nuk kam mundur t’i drejtohem më herët opinionit publik. Kam kërkuar nga Policia e Kosovës angazhim dhe mobilizim maksimal, me të gjitha njësitë dhe formacionet e nevojshme, në mënyrë që autori i këtij akti makabër të arrestohet sa më parë”, ka shkruar Sveçla në Facebook./21Media

Back to top button