Sveçla për aksionin “Brezovica”: Do ta luftojmë krimin në çdo pjesë të Kosovës

 
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar pas aksionit të sotëm policor “Brezovica”.
Sveçla ka thënë se sot u zhvillua suksesshëm aksioni i Policisë së Kosovës ndaj krimeve me ndërtime që kanë shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të maleve në zonën e Brezovicës.
Ai tutje ka thënë se ky aksion, si çdo aksion tjetër i Policisë së Kosovës, ka pasur cak shkelësit e ligjit që në mënyrë të vazhdueshme.
“Ashtu siç jemi zotuar se do të luftojmë krimin në çdo cep të vendit, sot u zhvillua suksesshëm aksioni i Policisë së Kosovës ndaj krimeve me ndërtime që kanë shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të maleve në zonën e Brezovicës. Ky aksion nuk ka pasur cak persona të përveçëm apo të etnive të caktuara. Ky aksion, si çdo aksion tjetër i Policisë së Kosovës, ka pasur cak shkelësit e ligjit që në mënyrë të vazhdueshme, përmes formave të ndryshme kanë shkatërruar pasurinë publike për përfitime personale apo klanore”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai tutje ka theksuar se si Ministri e Punëve të Brendshme bashkë me Policinë e Kosovës, mbesin të përkushtuar të ofrojmë siguri, rend dhe ligj për gjithë qytetarët, teksa ka thënë se shkelësit e ligjit do të luftohen pa asnjë dallim, pa asnjë përjashtim, në gjithë Republikën e Kosovës.
konferencë për media janë dhënë detaje për aksionin e Policisë së Kosovës që u zhvillua sot në 11 lokacione, në Ferizaj, Prishtinë dhe Shtërpcë. Nga Policia e Kosovës është bërë e ditur se gjatë operacionit janë arrestuar 10 persona, 8 nga rajoni i Ferizajt e dy nga Prishtina, ndërsa bëhet e ditur se janë sekuestruar para të gatshme në vlerë 61.470 euro/21Media
 

Back to top button