Sveçla: Po dezinformon Beogradi, s’kemi lista për të arrestuar ish-policët

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se fushata dezinformuese e Beogradit për të arsyetuar veprimet kriminale nuk ka të ndalur.
Ai ka thënë se “‘Lajmet’ e porositura se kinse Policia e Kosovës ka lista mbi të cilat po arreston ish-policët, si pjesë e orkestruar e fushatës dezinformuese, po përdoren si mjete për të arsyetuar pretendimet e hapura territoriale të Serbisë, barrikadat dhe për të frikësuar qytetarët tanë serb. Nuk ka lista të tilla. Ne nuk përpilojmë aso listash”.
Tutje, Sveçla ka thënë se në Republikën tonë demokratike, prokuroria që ndjek krimin është degë tjetër e pushtetit prej policisë që zbaton ligjin e urdhrat dhe prej Ministrisë së Punëve të Brendshme që është degë e ekzekutivit.
Sveçla më tej ka thënë se “fushata dezinformuese se një ish-polic në Mitrovicën e Veriut është arrestuar dhe se janë penguar punonjësit e elektrodistribucionit, vërteton edhe njëherë nevojën që barrikadat duhet të hiqen menjëherë dhe se normaliteti duhet të kthehet sa më parë në këtë zonë”.
Në postimin e tij në Facebook ai ka thënë se Policia e Kosovës do të zbatojë urdhrat e organeve të drejtësisë dhe do të vazhdojë të jetë vigjilente në ruajtjen e sigurisë publike dhe luftimin e krimit në çdo kohë.
Policia e Kosovës ka mohuar se një ish-pjesëtar serb i këtij institucioni është arrestuar në Mitrovicë të Veriut. Policia përmes një komunikate i cilësoi këto informacione si “spekulime nga disa mediume serbe”./21Media

Back to top button