Policia mohon se ka arrestuar një ish-polic serb

Policia e Kosovës ka mohuar se një ish-pjesëtar serb i këtij institucioni është arrestuar në Mitrovicë të Veriut.
Policia përmes një komunikate i cilësoi këto informacione si “spekulime nga disa mediume serbe”.
“Spekulimet e radhës nga mediumet serbe janë se kinse Policia e Kosovës edhe sot ka arrestuar një person (ish policin Z.M,) në Mitrovicë Veri, si dhe kinse Policia e Kosovës, në Veri të vendit ka penguar punonjësit e elektrodistribucionit për të kryer riparime të një defekti në rrjetin elektrik”, bëhet e ditur në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Tutje, bëhet e ditur se nuk ka informacione zyrtare nga Policia e Kosovës për një arrestim të personit në fjalë.
“Edhe një herë, demantojmë këto spekulime, duke sqaruar se nuk ka informacione zyrtare nga Policia e Kosovës për një arrestim të personit në fjalë, si dhe Policia e Kosovës nuk ka penguar dhe nuk pengon në asnjë rrethanë,  asnjë institucion apo punonjës të cilët kryejnë detyrat zyrtare, përkundrazi në rastin konkret janë ndërmarr veprime në bashkëveprim me kompetentët për adresimin dhe sanimin e këtij problemi në rrjetin elektrik”, ka njoftuar Policia.
Në komunikatë Policia e Kosovës inkurajonë qytetarët dhe mediat që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës në adresimin e kërkesave dhe konfirmimin e informatave zyrtare dhe mos të bien pre e dezinformatave të tilla./21Media

Back to top button