Sveçla: Po e përcjellim gjendjen e reshjeve, kemi ngritur nivelin e gatishmërisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se deri më tani asnjë komunë nuk ka kërkuar ndihmë për shkak të situatës së krijuar nga reshjet e shiut.
Përmes një shkrimi në Facebook, ministri ka thënë se janë duke përcjellë situatën e krijuar dhe kanë ngritur nivelin e gatishmërisë.
“AME është duke e përcjellë gjendjen në vazhdimësi dhe është e gatshme për reagim me Njësitë Profesionale të zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Komuna. Megjithatë, deri më tani, nuk ka pranuar ndonjë kërkesë nga komunat dhe nuk ka pranuar njoftime se është shpallur gjendje rreziku nga asnjë pjesë e territorit për nivelin qendror. Përkundër faktit që deri më tash nuk ka kërkesa nga komunat, niveli qendror është në gjendje gatishmërie që tu përgjigjet kërkesave të qytetarëve. Për këtë, MPB do të koordinojë dhe bashkëpunojë edhe me FSK-në të cilët kanë mobilizuar ekipet e tyre për reagim, andaj, apelojmë tek komunat që të adresojnë kërkesat dhe nevojën për ndihmë”, ka shkruar Sveçla në Facebook./21Media

Back to top button