Sveçla: Prokurori dhe gjykatësi i procedurës paraprake janë serbë

Operacioni kundër kontrabandës nuk është i drejtuar kundër asnjë nacionaliteti, por kundër kriminelëve.
Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media përkrah drejtorit të Policisë së Kosovës, Sabedin Mehmetit.
Sveçka ka thënë se prokurori i operacionit në fjalë është serb, poashtu edhe gjykatësi i procedurës paraprake është serb.
“Ky operacion nuk është i drejtuar kundër asnjë nacionaliteti. Ky operacion është i drejtuar kundër kriminelëve, të cilët kanë kontrabanduar mallra ilegale në territorin e Kosovës. Më lejoni t’ju informojë se prokurori i rastit është serb, gjykatësi i procedurës paraprake është serb, pjesëtarët e njësisë reagimi i shpejtë në veri janë shumica serbë, shumica e të arrestuarve janë shqiptarë, shumica e të kërkuarve janë shqiptarë, kështu që nuk bëhet fjalë për ndonjë represioni shtetëror ndaj askujt”, ka thënë Sveçla.
Sveçla sqaroi se pronari i barnatores ku u sulmuan policët është shqiptar, ndërsa tha se, nuk mundet Vuçiq e askush tjetër ta mbrojë atë nga ligji.
Ndryshe, dhjetë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime nga shpërthimet e granatave që janë hedhur gjatë aksionit të ndërmarrë nga Policia kundër kontrabandës në veri të Kosovës.
Drejtori i Policisë së Kosovës ka thënë se i lënduar ka mbetur edhe një nga personat që janë përfshirë në sulmin ndaj zyrtarëve policorë./21Media

Back to top button