Tri janë ditët më të rëndësishme për shqiptarinë, e katërta do të jetë dita e bashkimit me Kosovën!

Nga Rexhep Qosja

“Unë kam shkruar shumë për kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha, për kryetarin e PD, Sali Berisha. Kam shkruar shumë për politikën që ka bërë Sali Berisha. Tani Sali Berisha përjetoi diçka të papritur që i sjell natyrisht dhimbje çdo politikani dhe sa më lart të ketë qenë, me pozitë, më shumë dhimbje ka ai dhe shteti në të cilin ai ka pasur pozitat shtetërore. Tani Sali Berisha është politikan i rrëzuar dhe etika ime intelektuale, edukata ime nuk më lejon që ta godas dhe sulmoj, njeriun e rrëzuar.”
…“Nuk do doja të ndërhyja, të flisja tani, ta godas Sali Berishën, por do të kisha dashur që Berisha të kishte dhënë dorëheqjen dhe të ishte bërë hallall njëherë e përgjithmonë me politikën”.
***
TRI JANË DITËT MË TË RËNDËSISHME PËR SHQIPTARINË. E KATËRTA DO TË JETË DITA E BASHKIMIT ME KOSOVËN!
“Shqiptarët e kanë të drejtën e tyre historike të bashkohen sepse janë populli më i vjetër në këto troje. Kanë të drejtën historike, gjeografike, etnike dhe politike. Populli shqiptar po t’i jepej mundësia të vendoste për fatin e tij, do të vendoste për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Duhet të mësojmë sadopak edhe nga popujt e tjerë që kanë qenë të ndarë. Nga kushtetutat e tyre kurrë nuk e kanë hequr idenë e bashkimit. Shqiptarët janë ndarë dhunshëm nga njëri-tjetri. Kur një popull dëshiron të bëjë diçka, kur një popull dëshiron të arrijë që qëllim, atë qëllim ai popull do ta arrijë. Shqiptarët donin që të çlirohej Kosova dhe kjo ndodhi. Donin që Kosova të bëhej shtet i lirë dhe i pavarur, dhe kjo u arrit. Po ky popull dëshiron që të arrihet edhe ideali më i madh i këtij populli, bashkimi me Shqipërinë. Tri janë datat më të rëndësishme për popullin shqiptar: ardhja e Skënderbeut në Krujë, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe pavarësia e Kosovës. Data e madhe e katërt, do të jetë ajo e bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës.
Se si do të jetë bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë do ta vendosin ata që do të marrin pjesë në këtë proces. Ky bashkim nuk është vetëm në interesin e shqiptarëve. Është edhe në interesin e fqinjëve dhe BE. Pse të ketë Bashkimi Evropian dy shtete shqiptare, kur mund te këtë një. Kjo logjike do të mbizotërojë një ditë dhe do të krijohet edhe prej tyre mirëkuptimi për bashkimin tonë”.
***
RROFTË MASA, RROFSHIN MENDJET QË KANË MENDIME DHE NDJENJË PËR MASËN
“Nga krijimtaria shpirtërore romantike, greke, kanë mbetur disa mësime, ato kultura kanë pasur disa ideale. Një prej këtyre idealeve ka qenë e drejta. Ideal tjetër i atyre kulturave ka qenë e vërteta. Një tjetër ka qenë e bukura dhe një tjetër ka qenë masa.
Njeriu duhet ta dijë kur është realizuar masa. Nuk duhet të teprohet, duhet krijuar, duhet drejtuar, por jo tepruar. Politikanët duhet të kenë mirëkuptim, të shkojnë më tutje, por fatkeqësisht shumica prej tyre nuk kanë koncept për masën. Ata duhet të kenë mendimin, qëndrimin, idenë e tyre për masën. Po ta kishin, shumë gjëra në Shqipëri, kohë pas kohe dhe në Kosovë nuk do të shiheshin dhe nuk do të dëgjoheshin.
Rroftë masa, rrofshin mendjet që kanë mendime dhe ndjenjë për masën. Atë çastin kur duhet thënë “boll” siç do te thoshte populli”.
Back to top button