Sveçla: Serbia po vazhdon fushatën manipuluese ndaj qytetarëve serbë të Kosovës
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se nuk do të lejojnë që Serbia të ushtrojë kompetencat e sovranitetit në territorin e Kosovës, sepse Kushtetuta e Kosovës ka përcaktuar qartë që Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm. “Pra, sovraniteti i vendit tonë dhe integriteti territorial i Republikës, është i pacënueshëm dhe i patjetërsueshëm”.
Në një shkrim në Facebook, pasi Kuvend i Kosovës miratoi rezolutën që i thotë jo organizimit të referendumit të Serbisë brenda territorit të Kosovës, Sveçla ka thënë se institucionet s’do të lejojnë që të shkelet rendi kushtetues dhe sovraniteti i vendit.
Sveçla shtoi se Serbia po vazhdon fushatën manipuluese ndaj qytetarëve serbë të Kosovës, e që sipas tij, kjo duhet të marrë fund.
“Qeveria e Kosovës, ka bërë të qartë që qytetarët serb mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre duke votuar me postë, në Zyrën Ndërlidhëse apo duke shkuar për të votuar në vendvotimin e tyre në Republikën e Serbisë. E njëjta mënyrë tashmë është përcaktuar edhe nga shtetet tjera demokratike, ku qytetarët serb mund të votojnë në ambasada si në Austri, Belgjikë dhe Luksemburg, Itali, Norvegji, Rusi, Francë, Kroaci, Gjermani, Zvicër. Njejtë votohet dhe në vendet fqinje si Maqedoni e Veriut e Mal të Zi”, ka shkruar ndër të tjera Sveçla në Facebook.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot (15 janar) kanë miratuar një rezolutë që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votime për një referendum të shtetit të Serbisë për ndryshime kushtetuese./21Media