Sveçla: Sot u shfaq një episod i nivelit të lartë të luftës hibride serbo-ruse ndaj Kosovës

Pas protestës të së dielës pranë kufirit në Jarinjë nga një grup të së djathtës ekstreme, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se qytetarët duhet të sigurohen që Policia e Kosovës ka kapacitete dhe është e aftë të përballet me strukturat kriminale.
“Qëllimi ynë i vetëm është të sigurojmë një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim, të sigurojmë lëvizjen e lirë për të gjithë dhe të luftojmë grupet kriminale pa dallim, në të mirën e të gjithë qytetarëve dhe në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të republikës sonë”, ka shkruar ai në Facebook.
Tutje Sveçla ka shtuar se “Të njëjtët aktorë joshtetërorë, por të cilët i përdor edhe regjimi në Beograd edhe ai në Moskë, të përfaqësuar nga Damnjan Knezheviqi (bashkëpunëtor i organizatës paramilitare famëkeqe ruse Ëagner), u mësynë që ta thejnë këtë pikëkalim kufitar. Ditët e fundit, aktorë të tjerë shtetërore e joshtetërorë të këtyre dy vendeve, që janë të vetmet, që nga Lufta e Dyte Botërore, që ndezën luftëra në Evropë, kanë hyrë brenda territorit të Kosovës dhe ende gjenden këtu”.
Sipas tij, të armatosurit e maskuar dhe të barrikaduar në rrugë, me mbështetjen edhe të qendrës së spiunazhit rus që gjendet në Nish të Serbisë, po përpiqen që ta cenojnë sovranitetin e Kosovës, duke nxitur provokime agresive në mënyrë që ta largojnë vëmendjen nga agresioni në Ukrainë.
“Ne do të vazhdojmë ta ekspozojmë qëllimin ruso-serb, duke ngulur këmbë që mos t’i nënshtrohemi në asnjë mënyrë mashtrimit të madh që po përpiqen t’ia bëjnë Serbia dhe Rusia një pjesë të qytetërimit evropian”, ka shkruar Sveçla./21Media

Back to top button