Sveçla thotë se mbështetja e Francës për vizat është shumë e rëndësishme

Gjatë vizitës në Paris, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, zhvilloi takime me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Francës, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, si dhe presidentin e Grupit Parlamentar për miqësi mes Francës dhe Kosovës.
Këto takime sipas Sveçlës, u zhvilluan me qëllim të shtyrjes përpara të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe forcimit të bashkëpunimit mes Ministrisë së Punëve të Brendshme me institucionet e Francës.
Në takim me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjegjësisht me drejtues të Drejtorisë për çështje evropiane dhe ndërkombëtare, Drejtorisë për bashkëpunim ndërkombëtar për siguri, Drejtorisë së përgjithshme të xhandarmërisë nacionale, Drejtorisë së përgjithshme të policisë nacionale, Drejtorisë së përgjithshme për të huajt dhe Zyrës franceze për emigrim dhe integrim, u diskutua për çështje të bashkëpunimit në fushën e sigurisë, luftën kundër krimit të organizuar, si dhe për çështje të migrimit.
“I njoftuam autoritetet franceze për arritjet tona në luftimin e krimit dhe korrupsionit, trendet pozitive përgjatë viteve sa i përket migrimit të rregullt dhe uljes së migrimit të parregullt të qytetarëve te Kosovës në Evropë dhe Francë në veçanti. Me përfaqësuesit e MPB-së franceze u dakorduam që të intensifikojmë bashkëpunimin në fushat e interesit të përbashkët dhe në shkëmbimin e informatave në fushën e sigurisë.
Në kuadër të vizitës u takuam edhe me përfaqësues të Drejtorisë për Bashkëpunim për Siguri dhe Mbrojtje pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, me të cilët diskutuam rreth projekteve konkrete të bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike, si dhe mundësive për bashkëpunim në fusha tjera”, njoftoi Sveçla përmes një shkrimi në Facebook.
Vizitën në Paris ai e përmbylli me një takim me kryetarin e Grupit të Miqësisë Francë-Kosovë të Parlamentit Francez, Bruno Questel, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin ndërinstitucional mes Kosovës dhe Francës.
“Falënderova atë për kontributin e tij në përafrimin e dy popujve dhe shteteve tona, si dhe diskutuam për potencialin jashtëzakonisht të madh për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Gjatë të gjitha takimeve të zhvilluara ritheksova se tashmë Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret lidhur me liberalizimin e vizave, dhe se mbështetja e Francës që qytetarët tanë të jenë të barabartë me shtetet e rajonit dhe të gëzojnë të drejtën e lëvizjes pa viza, është shumë e rëndësishme”, njoftoi tutje Sveçla./21Media

Back to top button