Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, sot me rastin e mbajtjes së Konferencës Vjetore të Prokurorëve deklaroi se pritjet e tyre janë të mëdha kur flitet për rezultatet në luftën kundër korrupsionit.

Ai tha se lëndët e kësaj natyre duhet të trajtohen në mënyrë më efikase dhe profesionale.

“Ne vazhdojmë të besojmë në mundësinë e arritjes së rezultateve më të mira, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë drejtim, lëndët do të duhej të trajtoheshin në mënyrë më efikase dhe profesionale. Pritjet tona janë të mëdha kur flitet për specializimin në kuadër të Prokurorisë së Shtetit, veçanërisht kur flitet për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, tha Szunyog.

Ambasadori i BE-së u shpreh se puna e prokurorit fillon me udhëheqjen e hetimit por nuk përfundon me ngritjen e aktakuzës, prandaj, ai nënvizoi se fitorja në luftën kundër krimit vjen vetëm kur jepen dënime të formës së prerë në gjykatë.

Veç kësaj, ai përmendi konfiskimin e pasurive si thelbësore në luftimin e krimit ekonomik. Sipas tij, është i lartë numri i konfiskimeve paraprake të pasurive të kryera gjatë procedurave penale por ende mbetet i ulët numri i konfiskimeve përfundimtare.

“Në mënyrë që të lehtësohet më tej rikuperimi i të ardhurave të krimit dhe që pasuritë të konfiskohen në mënyrë efektive, BE-ja dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë e inkurajojnë Kosovën që ta themelojë sa më shpejt fondin për këtë qëllim specifik. Do të duhej të kishte përparim në zbatimin e legjislacionit në lidhje me konfiskimin, veçanërisht të Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskim. Ne shpresojmë edhe që gjatë vitit 2021 më në fund të miratohet dhe të hyjë në fuqi drafti i Kodit të ri të Procedurës Penale. Legjislacioni i ri sjell disa ndryshime në procedurat penale, të cilat nëse zbatohen siç duhet shpresohet të kenë ndikim pozitiv në efektivitetin e ndjekjes penale të lëndëve”, tha shefi i Zyrës së BE-së.