Tahiri: 3 vjet pa njohje, rroftë Gani Jakupi

(Lajm i përditësuar)


Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kritikuar diplomacinë kosovare për mosangazhim përgjatë tre vjetëve të fundit, duke thënë se ka kaluar po kaq kohë pa njohje e pa anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Në konferencën e mbajtur të dielën, derisa ka dhënë kritikat e tij për Ministrinë e Punëve të Jashtme, ai ka përmendur Gani Jakupin, i angazhuar si konsulent i jashtëm për ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, emri i të cilit së fundmi bëri bujë për shkak të pagës së tij mujore prej 7500 eurosh.

“Tri vjet asnjë njohje, tri vjet asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, të sanksionuar nga Bashkimi Evropian. Rroftë Gani Jakupi! Sot kjo politikë e jashtme e ka kthyer vendin në vend të sanksionuar nga BE-ja”, ka thënë ai.


Tahiri: Ende nuk kemi ftesë nga Osmani, por do të jemi në takim

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ende nuk ka marrë ftesë zyrtare nga presidentja Vjosa Osmani për takimin e paralajmëruar nga kjo e fundit me partitë opozitare në lidhje me draft-statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një konferencë për media, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri ka thënë se kjo parti do të jetë pjesë e takimit për t’i shprehur shqetësimet e tyre sa i përket draftit të dorëzuar nga ndërmjetësit.

“Kemi dhënë qëndrimin të parët se ky statut ka probleme serioze, të cilat duhet t’i adresojë Gjykata Kushtetuese… Te çështja e presidentes nuk kemi ftesë, por kjo nuk është një temë që ne duhet t’i ikim. Sikur të ishte mbarë e mirë, në ditën kur e ka marrë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani këtë draft, është dashur të na jepej nga një kopje dhe të mos vijë puna të na e japin nëpër zyre të partive parlamentare të opozitës nga dikush i BE-së…Por, kur të ndodhë ai takim, normal se do të jemi”, ka thënë Tahiri.

Back to top button