Tahiri: Alarmante kolapsi i ekonomisë së vogël, Qeveri ose vepro, ose shko

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se Kosova aktualisht është duke pësuar tronditje ekonomike. Si shkak për këtë Tahiri thoë së është “shembja” e bizneseve.

“Me qindra biznese të vogla gjithandej Kosovës, duke përfshirë dyqane, biznese të vogla të shitjes, kafiteri, restorante janë duke u mbyllur për shkak të mungesës së konsumit.
Informatat e para të tremujorit të parë të vitit 2024 rreth qarkullimit të bizneseve që operojnë në Kosovë janë alarmante. Fuqia blerëse ka rënë nga 15% deri në 50%. Me mbylljen e bizneseve do të shkojmë drejt rritjes së papunësisë në Kosovë që ndikon në rritjen e varfërisë dhe në uljen e nivelit të jetesës për qytetarët.”, shkroi Tahiri në Facebook.

Ai i bëri thirrje Qeverisë që të veprojë ose në të kundërtën të largohet nga pushteti.

“Ekonomia përbën shtyllën kryesore të funksionimit të jetës në një shoqëri normale. Kjo Qeveri me retorikën e vet të luftës, me konfliktin e hapur me bashkësinë ndërkombëtare duke e mbajtur Kosovën nën sanksione, dhe duke mos pasur asnjë investim të huaj të mirëfilltë në vend, është duke e bankrotuar Kosovën. Dhe, të rinjtë po detyrohen t’ia mësyjnë migrimit.
Qeveri, vepro ose shko!”, përfundoi Tahiri./21Media

Back to top button