Tahiri analizon Raportin e Progresit: 32 herë theksohet se ka mungesë progresi, 49 herë thuhet se ka progres të mangët

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka komentuar raportin e progresit për Kosovën nga Komisioni Evropian.

Përmes një postimi në “Facebook” Tahiri ka thënë  se qeveria e fjalëve të mëdha u vlerësua për dështime të mëdha.

“Kur jemi te dështimi spektakolar ekonomik dhe social i kësaj qeverie, i cili po shoqërohet me ikje në masë të të rinjve, Raporti nënvizon performancë të dobët ekonomike, si rezultat i mungesës së investimeve, gjë që shoqërohet me inflacion të lartë dyshifror, dhe me mungesë të një qasje që ndërlidhë tregun e punës me nevojat ekonomike” ka thënë ndër të tjera Tahiri.

Po ashtu në postim thuhet se nga një analizë fillestare në kuadër të Aleancës, e përmbajtjes së këtij vlerësimi, por edhe e aspektit kualitativ dhe të formulimit, tregon se ky raport përdorë termin ‘Progres’ rreth 205 herë.

“Me këto kualifikime 32 herë theksohet se ka mungesë progresi, 49 herë theksohet se ka progres të mangët, 59 herë theksohet se ka njëfarë progresi, 42 herë theksohet se është bërë progress, 15 herë në aspekte tjera dhe, vetëm 8 herë theksohet se ka progres të mirë”, shton shefi i AAK-së.

Si konkluzion, thotë ai se ky Raport në historinë e post-pavarësisë është me negativi për Kosovën./21Media

Back to top button