Tahiri: E pabesueshme se në çfarë gjendje operon kryeministri jonë

Për shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, seanca e së enjtes s’ka si mos të ndodhte ndryshe veçse të niste me vazhdimin e debatit për grevat.
Ai tha se është e papranueshme kryeneçësia e kryeministrit Albin Kurti për mos zgjidhjen e situatës me greva.
“S’ka si të ndodhte ndryshe veçse të vazhdojmë seancën të enjten me debatin për grevat e përgjithshme në Kosovë. Po hymë në javën e katërt që mësimi në Kosovë nuk po mbahet, pra janë rreth 320 mijë nxënës që nuk e vijojnë mësimin dhe rreth 30 mijë mësimdhënës që nuk po vazhdojnë punën e tyre. Kjo është e papranueshme dhe është e papranueshme kryeneçësia e kryeministrit Kurti, i cili është përgjegjës direkt për këtë situatë që është krijuar në arsimin e Kosovës”, tha ai.
Tahiri foli edhe për paralajmërimet për një “kornizë të re për dialogun”, derisa nënvizoi se marrëveshja finale duhet të ketë njohjen reciproke dhe ulësen e Kosovës në OKB.
“Për neve si PDK është e rëndësishme që marrëveshja e re në mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë të ketë në qendër njohjen reciproke. Për neve si Kosovë marrëveshja finale patjetër duhet të rezultojë me anëtarësimin e Kosovës në OKB. Ulësja jonë aty është e rëndësishme dhe duhet të dalë si rezultat i kësaj marrëveshje”, shtoi ai.
Shefi i deputetëve të PDK-së, foli edhe për përmendjen e sërishme të luftës nga kryeministri Kurti.
Sipas tij, i njëjti po bën deklarata të tilla për të zhvendosur vëmendjen prej problemeve të brendshme.
“Është e pabesueshme në çfarë gjendje mendore është duke operuar kryeministri jonë. Në Kosovë ju e dini që kemi prezencën e NATO-s, fuqive më të mëdha që garantojnë edhe sovranitetin tonë si shtet. Nuk shoh arsye tjetër që kryeministri të bëjë deklarata të tilla, pos të zhvendosë vëmendjen prej problemeve jashtëzakonisht të mëdha që qeveria e tij po tregohet e paaftë me i trajtuar”, tha ai./kp

Back to top button