Tahiri: Habitem që s’ka reagim serioz nga qeveria për rezolutën e Parlamentit Evropian

(Lajm i përditësuar)


Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri në konferencë për medie të premten, u shpreh i habitur siç tha ai me neglizhencën e institucioneve kosovare ndaj rezolutës së Parlamentit Evropian, ku dënohet sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

“Është për t’u habitur fakti që një rezolutë si kjo me këtë gjuhë kaq të ashpër ndaj Serbisë të mos ketë reagim të qeverisë, ministrisë dhe parlamentit. Është e papranueshme që në rrethana të tilla mos të ketë një reagim serioz për këtë qëndrim të Parlamentit Evropian… A kuptoni ku ka ra Kosova dhe në dorë të kujt është Kosova? Komunikimi politik dhe komunikimi shtetëror të institucioneve të Kosovës është reduktuar në Twiter, komunikim në rrjete sociale dhe jo adresim përmbajtësor”, shtoi ai.

Duke folur për përmbajtjen e rezolutës, Tahiri tha se e njëjta dënon Serbinë për sulmin terrorist në veri dhe kërkon që të vendosen masa ndaj saj.

“Kjo rezolutë e dënon në masën më të madhe dhe të drejtpërdrejtë Serbinë për sulmin terrorist në këtë deklaratë. Unë i kam shkëputur disa pika dhe nëse e marrim pikën e parë aty dënohet dhe sulmi në veri quhet sulm terrorist, ndërsa si Parlament Evropian i thërret vendet anëtare që nëse nuk e kanë dënuar deri tani ta bëjnë atë sa më shpejt. Te pika dy e fton Qeverinë e Kosovës që të ofrojë të gjithë evidencën që e ka në dorë në mënyrë që të bëhet një hetim për këtë rast. Njëkohësisht e thërret edhe EULEX-in. Pika e tretë e bënë përgjegjës drejtpërdrejt Serbinë dhe flet edhe për organet ushtarake të cilat duhet të kenë kujdes në kontrabandimin e armëve që kanë ardhur nga Serbia. Pika e katërt e thërret Komisionin dhe Këshillin që të merr masa ndaj Serbisë deri sa përmendet edhe parandalimi i IPA III për Serbinë”, theksoi Tahiri.

Parlamenti Evropian të enjten ka miratuar rezolutën me të cilën dënon sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku u vra polici Afrim Bunjaku e u plagosën dy të tjerë. Në rezolutë, sulmi cilësohet terrorist dhe do të kërkojë përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje.

Në tekstin e rezolutës përmenden rrethanat të cilat kanë ndikuar në rritjen e tensioneve në veriun e Kosovës, nga largimi i serbëve nga institucionet nëntorin e kaluar, bojkotimi i zgjedhjeve lokale të prillit në veri, e deri te vendosja e barrikadave dhe sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve në fund të majit dhe sulmit të fundit në Banjskë.


AAK propozon debat parlamentar për rezolutën e Parlamentit Evropian

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka mirëpritur rezolutën e Parlamentit Evropian, ku dënohet sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në një konferencë për medie të premten tha se do të propozojnë që legjislativi të mbajë një debat parlamentar ku përmes një deklaratë do të mbështetët rezoluta e Parlamentit Evropian, ku dënohet sulmi terrorist në veri.

Ai bëri thirrje institucioneve të shfrytëzojnë momentumin e krijuar për të dëshmuar se Serbia qëndron prapa këtij akti agresioni.

Back to top button