Tahiri: Kurti i ka sjellë Kosovës në tavolinë një marrëveshje të dëmshme

(Lajm i përditësuar)

Shefi i GP-së së Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se kryeministri Albin Kurti i ka sjellë Kosovës në tavolinë një marrëveshje të dëmshme.

Në konferencën për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri ka thënë se tashmë po hapet një proces i ri i dialogut.

“Vetë institucionet e Kosovës në një formë po e kontestojnë shtetësinë tonë. Neni 7 po e etablon atë që do të ndërtohet e që ka me qenë autonomia e serbëve. Nuk është Asociacioni më çështje, është neni 7, është autonomia që ne e marrim si obligim ndërkombëtar”, ka thënë ai.

Tahiri më tej ka thënë se nuk është e pranueshme që deputetët e pushteti të propozojnë komision hetimor për dhunën ndaj gruas, derisa ka institucione që duhet të merren me këtë punë.

Tahiri: Në këto dy vjet, Kosova pësoi regres

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë Kurti që për dy vjet të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Kosova ka pësuar regres në të gjitha aspektet.

Ai ka thënë se në seancën e radhës që pritet të mbahet më 23 mars, pikë e parë e rendit të ditës duhet të jetë debati mbi dy vjet qeverisjeje të Albin Kurtit.

Kusari-Lila: S’ka seancë plenare këtë javë

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se gjatë kësaj jave nuk do të ketë seanca plenare.

Në adresimin për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Kusari-Lila ka thënë se arsyeja e mosmbajtjes së seancave plenare këtë javë është se dy delegacione janë jashtë vendit.

“Njëri veç ka udhëtuar në Tajvan. Dhe tjetri është ai që do të takohet me komisionin për stabilizim-asociim”, ka thënë ajo.

Ajo është deklaruar edhe rreth bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë dhe pajtueshmërisë rreth planit evropian, për çka pritet të mbahet takim i radhës në Ohër më 18 mars.

“Pala kosovare ka prezantuar gatishmërinë për tu dakorduar për një plan që rrjedh nga propozimi evropian. Presim qasje konstruktive edhe pse mund të flasim vetëm për njërën palë. A do të ketë sukses takimi në Ohër mbetet të shihet. Sa i përket përmbajtjes është ende në proces. Ajo është në mes të palëve”, është shprehur ajo.

Lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike, Kusari-Lila ka thënë se mbetet të shihet ditëve në vijim se cili do të jetë modeli final që do të përdoret nga prilli.

Back to top button