Tahiri-Kurtit: Kryeministër mirë se u ktheve

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka deklaruar se është papërgjegjësi nga kryeministri Albin Kurti, moskthimi i tij në Kosovë nga vizita në Greqi e në Francë edhe pas rastit të helmimit të qytetarëve në Deçan e vërshimet që ndodhën ditëve të fundit në shumë qytete të Kosovës.
Tahiri ka thënë se 14 ditë vizitë jashtë vendit për një kryeministër do të kishte qenë i arsyeshëm vetëm nëse do të kishte marrë pjesë në ndonjë konferencë, ku përfaqëson interesat shtetërore e kombëtare të Kosovës.
“Kryeministër mirë se u ktheve në Republikën e Kosovës, shpresojmë që qëndrimi 14 ditor në bregdetin e Greqisë dhe në bregdetin e Francës po ta jep njëfarë shtytje për me fillu me hy në punë dhe me përfundu këtë muaj të mjaltit që nuk është kah të përfundon”, ka thënë ai.
Deputeti është shprehur se vizita e kryeministrit në Greqi nuk kishte të bënte as me interesa shtetërore e as me interesa kombëtare, ndërsa ka shtuar se festivali i Kanës është për artistët.
“Qytetarët e së cilës nuk mund të lëvizin pa viza e lërë më të kenë mundësi për të qëndruar nëpër hotelet luksoze në Greqi e në Francë në të cilat qëndron kryeministri jonë. Ajo çka nxori në pah kjo guidë turistike e kryeministrit nuk qe përfaqësimi i Kosovës por e vërteta e asaj çka përfaqëson Kosova dhe qytetari i saj për këtë kryeministër, fatkeqësisht asgjë. Sepse po të ishte ndryshe ditën që e ka marrë lajmin qoftë edhe një qytetar i vetëm i Kosovës që i është i rrezikuar jeta nga një helmim i panjohur e lërë më 1 mijë e 500 qytetarë të Deçanit që u helmuan e që u identifikuan me helmim nga escherichia coli do të ishte dashur të kthehesh dhe të merr përgjegjësitë që i takojnë në këtë situatë të rëndë çfarë ishte Komuna e Deçanit”, ka thënë Tahiri.
 

Back to top button