Tahiri: Mungesë komunikimi në mes të Kurtit dhe Ramës, raportet në pikën e fundit

Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se bashkëpunimi i kryeministrit të vendit, Albin Kurti, me homologun e tij në Shqipëri, Edi Rama, është në nivelin më të ulët.

Lidhur me deklarimin e Ramës i cili ka bërë të ditur se u ka dorëzuar ndërkombëtareve një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Tahiri ka thënë se nuk duhet paragjykuar.

Megjithatë, ai ka theksuar se detyrat e Qeverisë së Kosovës duhet t’i kryejë kjo e fundit, që sipas tij, ekzekutivi kosovar nuk po e bën një gjë të tillë.

“Ne si Aleancë nuk e dimë se çfarë dokumenti është, rrjedhimisht ky është një dokument konfidencial, një komunikim i kryeministrit Rama me media, rreth një teme e cila lidhet drejtpërdrejt me organizimin e brendshëm të Kosovës. Nuk e dimë cili është komunikimi mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë. Çka dimë është se do të ndodhë një mbledhje në mes dy qeverive në Gjakovë shpejt dhe aty do të saktësohet. Qëndrimi jonë është shumë i thjesht, e parë në parim diçka qe vjen prej presidentit të Shqipërisë, ai e ka pasur një deklarim për gjendjen në veri, diçka që vjen prej shtetit amë, jo domosdoshmërisht duhet të merret edhe me u paragjyku si gjykim i keq. Detyrat e qeverisë janë detyra të vendit, te cilat duhet t’i ushtrojë qeveria, e qeveria jonë nuk po i ushtron”, ka thënë Tahiri.

Sipas Tahirit, ekziston një mungesë komunikimi në mes të Kurtit dhe Ramës.

“Çka del në pah prej kësaj situate, ekziston një mos komunikim dhe raportet e komunikimit mes Shqipërisë dhe Kosovës janë në pikën e fundit. I ka ardh puna që kryeministri i Shqipërisë të komunikojë me kryeministrin e Kosovës, përmes gazetarëve, ky është problem shumë misterioz…Dy probleme i kemi themelore, problemi i parë është që pika e bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë është në nivelin më të ultë, derisa ka ardhur deri këtu puna në këtë komunikim. Apriori, nuk duhet të paragjykohet diçka që vjen prej Shqipërisë keq”, ka thënë ai.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se u ka dorëzuar presidentit francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Sipas Ramës, dokumenti konfidencial nuk do të bëhet publik.

Ai pret që i njëjti të arrijë të çojë në një tjetër nivel procesin e dialogut Kosovë-Serbi./Sh.Pajaziti

Back to top button