Takim i ri i nismës “Ballkani i hapur” pa Zaevin
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, i ngarkuar për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov, takohen të mërkurën mbrëma me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.
Darka e punës i paraprin takimit të nismës rajonale “Ballkani i hapur”, që do të mbahet të enjten.
Rama u prit në Aeroportin “Nikolla Teslla” në Beograd nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, nuk do të shkojë atje, ashtu siç ishte planifikuar më parë, sepse, ndërkohë, ka paralajmëruar dorëheqjen, për shkak të rezultatit të dobët të partisë së tij në zgjedhjet lokale të 31 tetorit.
Agjenda e takimit në Beograd
Takimit Rama-Vuçiq-Dimitrov do t’i paraprijë një takim me përfaqësues të kompanive nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Takimit do t’i bashkohen edhe përfaqësues të organizatës joqeveritare Këshilli Atlantik.
Sipas agjencisë së lajmeve MIA, në Shkup është njoftuar se përfaqësuesit e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do të diskutojnë për lehtësimin e tregtisë, ndërsa do të mbahet edhe një diskutim me temën: “Transformimi digjital si bazë për informimin rajonal”.
Është planifikuar edhe një konferencë e përbashkët për shtyp e të tre zyrtarëve./REL