Takim për plotësim-ndryshimin e Projektligjit për Persona të Zhdukur

 
Sot, në Ministrinë e Drejtësisë është mbajtur takimi i parë i Grupit Punues për hartimin dhe finalizimin e Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-023 për Personat e Zhdukur.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, në fjalën e tij hyrëse, fillimisht ka falënderuar anëtarët e këtij grupi për vullnetin e shprehur dhe gatishmërinë për tu angazhuar në plotësim ndryshimin e projektligjit për persona të zhdukur.
“Ministria e Drejtësisë ka prioritet ballafaqimin me të kaluarën, andaj në mesin e iniciativave të tjera të ndërmarra deri më tani në këtë drejtim përfshirë hartimin e Koncept-Dokumentit për themelimin e mekanizmit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës, i cili aktualisht ndodhet në konsultime publike, hartimin e Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale dhe ngritjen e kapaciteteve në Prokurorinë Speciale në Departamentin për Krimet e Luftës, këtij Projektligji dhe adresimit të nevojave dhe kërkesave të familjarëve të personave të zhdukur do t’i kushtohet vëmendje e veçantë”, tha Sallahu.
Zëvendësministri Sallahu theksoi se ky Grup Punues do ta ketë përkrahjen e plotë të kabinetit dhe njëherit shtoi se mbetën të përkushtuar që në plotësim ndryshimet e Projektligjit për persona të zhdukur të reflektojnë kërkesat dhe nevojat e familjarëve të tyre./21Media

Back to top button