“Takimet qeveritare Kosovë – Shqipëri një Show medial”

Nuk po shihen efektet nga marrëveshjet Kosovë – Shqipëri

Efektet nga marrëveshjet e mbledhjeve në mes dy qeverive shqiptare ende nuk po shihen edhe pse janë mbajtur disa sosh. Nuk njihen as certifikatat e Kosovës në shumë industri, siç është ajo e mishit, dhe nuk njihen produktet e certifikuara nga Kosova. Janë tri marrëveshje për lëvizje të lirë të mallrave dhe prapë ka barriera. Kosova dhe Shqipëria kanë qarkullim shumëfish më të madh me Serbinë dhe Maqedoninë se ndërmjet veti, pa e mbajtur asnjë mbledhje qeveritare.

Kështu thonë analistët kosovarë, të cilët nuk shohin ndonjë dallim me vendet tjera me të cilat Kosova nuk ka mbajtur mbledhje të përbashkëta. Po ashtu, po konsiderohet se arsyeja pse është shtyrë mbledhja e paraparë për 24 prill është për shkak se marrëveshjet paraprake nuk janë plotësuar. Kjo sipas analistëve, tregon se sa mbrapa kanë mbetur dy qeveritë shqiptare në implementimin e marrëveshjeve ekonomike.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nuk janë prononcuar se cilat janë efektet e marrëveshjeve nga mbledhjet e kaluar të këtyre qeverive.

Profesori në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skenderi konsideron se mbledhjet përbashkëta të qeverive kanë qenë një rrugë e përafrimit jo vetëm në aspektin politik, por edhe në atë socio-ekonomik, mirëpo sipas tij, në ekonomi nuk e kanë dhënë efektin e vet dobi prurës, sepse nuk është duke shkuar në një rrugë të drejtë, ashtu siç është pretenduar dhe siç është menduar nga konkluzionet e dy qeverive.

“Konsideroj që këto në kontekst të ekonomisë nuk e kanë dhënë shumë efektin e vet dobi prurës, sepse pothuajse nuk janë realizuar në praktikë edhe marrëveshjet të cilat kanë qenë si rezultat i këtyre mbledhjeve”, thotë profesori Skenderi.
Ai ndër të tjera thotë se këto duhet të mos mbeten vetëm si një dekor nacional por efektin e vet ta kenë në ekonomi, ngase Shqipëria ka çka të ofrojë për bizneset e Kosovës, respektivisht ato politikat për lehtësime si fiskale, ashtu edhe doganore.

Ndërsa, Lumir Abdixhiku thotë se marrëveshjet kanë qenë më tepër një show medial, dhe së shumë pak përmbajtje ka pasur në këto marrëveshje. Ai tha se bizneset kosovare janë të trajtuara keq dhe rëndë nga ambienti biznesor dhe ekonomik në Shqipëri.

“Ne kemi me Shqipërinë të nënshkruara tri, katër marrëveshje për lëvizje të lirë të mallrave, dhe prapë kemi barriera, sipas eksportuesve të Kosovës, kryesisht në anën e Shqipërisë, më pak në anën e Kosovës për produkte që ne eksportojmë atje”, deklaroi Abdixhiku.

Sa i përket bashkëpunimit ekonomik Kosovë- Shqipëri, kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, ka deklaruar se duhet thelluar me vepra dhe jo me fjalë.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë e cila ishte paraparë të mbahej më 24 prill në Vlorë është shtyrë për një datë të pacaktuar.
Kjo pritët të jetë mbledhja e katërt që Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë janë duke i mbajtur dhe kanë filluar të mbahen pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Back to top button