Takimi Kosovë-Këshilli i Evropës, thellohet bashkëpunimi në fusha të rëndësishme

TMinistria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës organizoi sot takimin e shtatë të përbashkët të Grupit punues në mes të përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe Këshillit të Evropës.
Gjatë këtij takimi u diskutua për zbatimin e projekteve të mbështetura nga Këshilli i Evropës si dhe për planet dhe projektet që parashihen të realizohen në periudhën në vazhdim në fushën e sundimit të ligjit, demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
Shefi i Kabinetit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Sharr Jakupi ka theksuar progresin e Kosovës në këto fusha dhe ka falënderuar Këshillin e Evropës për mbështetjen e vazhdueshme në këtë drejtim përmes projekteve konkrete të cilat po i ndihmojnë Kosovës të arrijë standardet evropiane.
“Kosova është duke shënuar progres në rrugën e saj drejt integrimit në BE. Kontributi i Këshillit të Evropës po ia lehtëson Kosovës këtë rrugëtim përmes mekanizmave të vet duke e ndihmuar në mënyrë që të arrihen standardet evropiane sa i përket të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë”, tha Jakupi.
Jakupi tha se pavarësisht fushave, qoftë sistemi gjyqësor, arsimi, të drejtat e njeriut ose shteti i së drejtës, në të gjitha këto synimi i Qeverisë dhe institucioneve mbetet arritja e standardeve evropiane të cilat garantojnë respektim të të drejtave themelore për qytetarët e Kosovës pa marrë parasysh përkatësinë etnike, gjinore, fetare apo orientimin seksual.
“Kosova është vend i ri, por e etur dhe shumë e gatshme për të mësuar dhe avancuar shpejt. Andaj dua ta falënderoj Këshillin e Evropës për kontributin e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin në projekte dhe aktivitete të cilat na ndihmojnë të rrisim kapacitetet institucionale deri sa ne të bëhemi anëtar të plotë në Këshillin e Evropës”, shtoi tutje Jakupi.
Gjithashtu lidhur me zbatimin e projekteve, bashkëpunimin dhe planifikimet për periudhën në vazhdim ka folur edhe Verena Taylor drejtoreshë e Drejtorisë për programe në Këshillin e Evropës.
Përfaqësues nga Këshilli i Evropës janë shprehur të gatshëm të mbështesin institucionet e Kosovës në fushat më të rëndësishme për vendin, duke theksuar se nevojitet angazhim për plotësim të standardeve të kërkuara me projekte që synojnë përmirësimin e sundimit të ligjit, të drejtat e njeriut dhe demokracinë.

Back to top button