Tarikatet dhe Bektashinjtë urojnë për Fitër Bajram

Myslimanët sot kanë filluar kremtimet për Fitër Bajram, festa që vjen pas agjërimit të muajit Ramazan.
Pos myslimanëve synitë që kremtojnë sot dhe urimeve që ndanë liderët e Bashkësisë Islame të Kosovës, për këtë festë kanë uruar edhe dy bashkësitë tjera të myslimanëve në Kosovë, Bashkësia e Tarikateve e Kosovës dhe Komuniteti Bektashian i Kosovës. Edhe këto dy bashkësi fetare myslimanësh kanë kryer ceremonitë përkatëse nëpër teqetë e tyre, sikur kanë traditat secili prej tarikateve.
Bashkësia e Tarikateve ka ndarë një urim në faqen e tyre në Facebook, të shprehur përmes poezisë.
Përderisa Komuniteti Bektashian i Kosovës, në urimin që ndau në emër të dervishit të Teqesë së Gjakovës, ka ftuar për ndihmë ndaj nevojtarëve.
Ndërsa në Tiranë, në faljen e madhe që u mbajtën myslimanët në Sheshin “Skënderbeu”, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dedebaba Edmond Brahimaj, në urimin e tij ndër të tjera është shprehur: “Nëpërmjet agjërimit, në Muajin e Shenjtë të Ramazanit, ku gjetëm e përjetuam një ndjenjë paqe, shërimi shpirtëror, testuam forcën për përkushtimin ndaj Zotit, le të bashkohemi në një lutje për më shumë shpresë e paqe, të lutemi që luftërat e konfliktet e dhunshme kudo ku janë, të pushojnë, të mbushen zemrat me dashuri dhe të mos humbin më jetë njerëzish të pafajshëm, të kemi ditë më të mira e harmoni”./21Media

Back to top button