Zjarri përfshiu 80 shtëpi, 8 të vdekur

Tetë persona kanë vdekur, duke përfshirë gjashtë fëmijë, pasi një zjarr përfshiu shumë shtëpi pranë kryeqytetit të Filipineve Manila.
Zjarri, i cili filloi rreth orës 05:00 me orën lokale të së hënës, shkatërroi gjithashtu 80 shtëpi.
Filloi në katin e dytë të një shtëpie në një vendbanim të mbushur me njerëz brenda kampusit të gjerë të Universitetit të Filipineve, në Quezon City.
Shkaku i zjarrit nuk dihet ende.
Oficeri i lartë i zjarrfikësve Greg Bichayda i tha agjencisë së lajmeve AFP se u deshën gati dy orë për të shuar flakët, transmeton rtv21.tv.

“Zjarri u përhap shpejt”, tha Bichayda, duke shtuar se viktimat nuk ishin në gjendje të largoheshin nga shtëpitë e tyre.
Ai tha se gjashtë nga ata që vdiqën ishin fëmijë, por nuk u publikuan detaje të tjera të moshës së tyre.
“Shtëpitë përbëhen nga materiale të lehta. Kur shpërtheu zjarri, njerëzit u tronditën”, tha Bichayda.
Filipinet janë një nga vendet me popullsi më të dendur në botë dhe kryeqyteti i saj ka një numër të madh banorësh për kilometër katror.
Metro Manila, rajoni që përfshin kryeqytetin dhe qytete të tjera duke përfshirë Quezon, ka një popullsi prej rreth 13 milionë.
Mijëra njerëz jetojnë në komunitete të mbipopulluara ku zjarret janë të zakonshme./21Media

Back to top button