Taulant Xhaka merr vendimin final: Tërhiqem nga Kombëtarja, përjetë jam Kuq e Zi
Pas shumë aludimesh, dyshimesh dhe polemikash në distancë, Taulant Xhaka ka marrë vendimin e rëndësishëm duke i dhënë fund ndeshjeve me Kombëtaren e Shqipërisë.
Mesfushori shqiptar zgjodhi ta shpjegojë në detaje vendimin e tij.
Me një letër drejtuar FSHF-së dhe tifozëve kuq e zi, Xhaka ka thënë se për arsye personale do t’i ndajë rrugët e Kombëtaren e Shqipërisë.
‘Si unë dhe vëllai im Graniti, jemi rritur me atdhedashuri për Shqipërinë dhe Kosovën. E gjithë familja ime na ka rritur si mua, ashti dhe Granitin me flamurin kuqezi në zemër, me një respekt dhe krenari të veçantë për vendin tonë. Gjithmonë fillimet janë të bukura dhe askush nuk e mendon se sa shpejt ikin vitet dhe stafeta duhet dorëzuar brezit të ri kuq e zi për shkak të lëndimeve të shumta që akoma vazhdojnë të më ndjekin. Për këtë arsye dhe shumë arsye të tjera private, kam vendosur të jap lamtumirën nga kombëtarja kuqezi si lojtar i saj, por me zemër do të jem në çdo moment pranë jush deri në frymën e fundit. Do te jem përjetë KUQEZI. Më besoni, që ky vendim është ndër më të vështira dhe emocionuese të marra në jetën time. Nuk e kam pasur aspak të lehtë të marr një vendim të tillë, sepse pranë kombëtares jam ndjerë shumë mirë dhe krenar”, ka shkruar Xhaka.
Gjithashtu, i njëjti ka falënderuar Federatën Shqiptare të Futbollit, për mbështetjen e vazhdueshme.
“Jam mbështetur shumë nga stafi i FSHF, nga bashkëlojtarët e mi, si dhe nga tifozat e mrekullueshëm kuqezi. Por, në kushtet dhe rrethanat që unë ndodhem, mendova është më e mira për t’i dhënë edhe brezit të ri mundësinë të afirmohen që të jenë e ardhmja e kombëtares sonë të përbashkët. Dua të falenderoj përzemërsisht trajnerët me të cilët kam punuar, lojtarët, presidentin e FSHF, Armand Duka, si dhe gjithë dashamirësit e futbollit për të gjithë mbështetjen që më kanë dhënë gjatë angazhimit tim në gjirin kuqezi. Një falënderim i veçantë dhe special shkon për tifozat kuqezi, ata janë lojtari i 12-të dhe na kanë mbështetur në çdo kohë dhe moment. Tifozat na kanë mbështetur në çdo kohë dhe çdo moment. Tifozat na kanë dhënë mbështetje edhe në ditët tona më të vështira. Ata kanë qenë frymëzim i madh për mua. Tifozët e kombëtares kuqezi janë më të mirët në botë. Tani edhe unë do jem një tifoz i flaktë i kombëtares kuqezi, pra një si JU. Krenari dhe respekt për tifozat”, ka thënë tutje Xhaka./21Media



Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?