Të akuzuarit mohojnë përfshirjen në vrasjen e Oliver Ivanoviqit
Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore të Prishtinës është mbajtur seanca për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor në rastin penal të vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq. Gjashtë të akuzuarit Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Rade Basara, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq dhe Nedelko Spasojeviq u deklaruan të pafajshëm për vrasjen e Ivanoviqit, por i akuzuari, Zharko Jovanoviq pranoi fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje, ndërsa për veprat tjera penale tha se nuk ndihen fajtorë.
I akuzuari tjetër, Nedelko Spasojeviq pritet të deklarohet rreth pranimit të fajësisë për armë mbajtje pa autorizim gjatë procesit gjyqësor.
Në seancën e sotme të shqyrtimit gjyqësor nuk u lexua akti akuzues me kërkesë të mbrojtjes të të akuzuarve e me këtë u pajtua edhe Prokuroria.
Prokurori i rastit, Burim Qerkini në fjalën e tij hyrëse tha se të akuzuarit ishin pjesë e një grupi kriminal që ka vepruar nga viti 2014 deri në vitin 2019.
Prokuroria Speciale pretendonse veprimet e grupit kishin për qëllim rritjen e ndikimit të tyre politik në Mitrovicë të Veriut.
Sipas aktakuzës, hetuesi policor, Rade Basara, kishte keqpërdorur autoritetin zyrtar pasi nga pozita e tij kishte ndihmuar në fshehjen e provave, për çka akuzohet edhe Nedelko Spasojeviq.
Sipas Prokurorisë, në planifikimin e vrasjes së Ivanoviqit ka qenë edhe administratorja e zyrës së Ivanoviqit, e cila kishte qenë në njohuri për fikjen e kamerave të sigurisë, si dhe aktivizimin e tyre pak minuta pas vrasjes.
E pranishme në seancën e sotme gjyqësore ishte edhe e ish-bashkëshortja e politikat serb tashmë të ndjerë, Oliver Ivanoviq, Mariana e cila nuk pranoi ta thotë fjalën e saj hyrëse, pasi siç tha ajo nga festa e gjykatës ka kuptuar se është e ftuar si dëshmitare e jo si palë e dëmtuar.
Pas kësaj deklarate, kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj tha se pala e dëmtuara mund ta thotë fjalën hyrëse në shqyrtimin e radhës.
Mbrojtësi i të akuzuarit, Nedelko Spasojeviq, Faruk Korencia i ka kundërshtuar të gjitha pretendimet e Prokurorisë Speciale ndaj klientit të tij për çka tha se Prokuroria nuk ka asnjë provë që vërteton fajësinë e Spasojeviq.
Në fjalën e tij hyrëse, Mahmut Halimi avokat i Marko Roshiq tha se në ditën kur ka ndodhur vrasja klienti i tij ka qenë fjetur e jo siç pretendon Prokuroria se e ka përcjell tashmë të ndjerin Oliver Ivanoviq.
Edhe mbrojtja e Rade Basara, Tomë Gashi e ka kundërshtuar këtë aktakuzë.
Avokatja e Silvana Arsoviq, Jovana Filipoviq ka hedhur poshtë çdo akuzë me të cilën ngarkohet klientin e saj.
Ndërkohë, edhe në seancën e sotme mbrojtja e Marko Roshiqit, Nedelko Spasojeviqit dhe Rade Basara kanë kërkuar që të ndërpritet masa e paraburgimit ndaj tyre.
Trupi gjykues i ka caktuar seancat e radhës për rastin e vdekjes së Oliver Ivanoviq më 30 gusht, 1, 14 dhe 17 shtator të këtij viti.
Aktakuza ndaj tyre u ngrit në fund të vitit 2019, ndërsa seanca fillestare qe mbajtur në shkurt të 2020-s. Në prill të këtij viti, Gjykata e Apelit pati konfirmuar aktakuzën e ngritur për rastin.
Politikani serb, Oliver Ivanoviq ishte vrarë më 16 janar 2018 në qytetin e Mitrovicës.