Të evaukuarit po qëndrojnë në Aeroportin e Gjakovës

 

Shumë ura janë rrëzuar si shkak i vërshimeve në Gjakovë, ndërkohë që janë mbi 80 persona të cilët janë evakuuar si shkak i përmbytjeve në podrumet dhe shtëpitë e tyre. Mbi 70 persona po vazhdojnë të qëndrojnë në Aeroportin e Gjakovës, ndërsa 15 të tjerë po qëndrojnë tek të afërmit e tyre.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Vehat Hoxhaj ka treguar për gjendjen në komunën e Gjakovës, ndërkohë që shton se pas reshjeve gjatë së dielës, janë rrëzuar disa ura.

“Për momentin është qetësuar gjendja, tash jemi ka merremi më fortë me palët e dëmtuara që kanë kërkesa tash për të shkuar për të bërë evidentimin e dëmeve. Realisht pjesën më të madhe të telasheve e kemi pasur me përmbytjen e podrumeve, shtëpive, si në zonën urbane, dy ditë pas na u konfirmua edhe nga zona jashtë qytetit në fshatra. Kurse ditën e diele na ka bërë goxha dëme pas orës 22:00, të reshurat që kenë kanë prishur disa ura nga ana e infrastrukturës rrugore. Disa shembje të dheut, por fatbardhësisht viktima njerëz nuk kemi”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka thënë se janë duke punuar 24 orë për të qenë në mbrojtje të qytetarëve. Ai përmend edhe rastet e disa familjarëve të cilat kanë shtëpitë afër lumit Krena dhe afër shtratit të lumit Llukac, për çka thotë se kanë qenë pjesët më të rrezikuara.

Për momentin në Aeroportin të Gjakovës i kemi diku 72 persona. Realisht nga ana e Komisionit Komunal që është krijuar nga kryetari i komunës po flitet për nëntë familje, që janë 72 persona. Nuk kam ende informacion të saktë sepse gjatë kohës kemi pasur kërkesa për evakuim, evakuimet tjera që kanë ndodhur dikun edhe 15 persona të tjerë që kanë kërkuar të bëhet evakuim nga lagjja Dardania. Kanë shkuar nëpër të afërmit e tyre, nuk kanë pranuar që të shkojnë në aeroportin e Gjakovës, Luminar që është në kompetencën e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka shtuar ai.

Ai ka shprehur shqetësimin se me reshjet e borës të cilat po vijojnë edhe sot, do të përkeqësohet sërish gjendja.

“Realisht në këtë rast unë si drejtor po i lutem Zotit që të mos ketë si herëve të kaluara, sepse ne edhe me datën 30-31 dhjetor kemi pasur gjendjen e keqësuar[…]Nga ana e reshjeve të borës ne realisht si drejtori i frikësohemi këtij fakti sepse bora sado pak e trashë rrjedhën e ujit”, ka theksuar ai.

Ndër tjera, Vehat Hoxhaj ka thënë se zjarrfikësit janë duke punuar me pajisje mbrojtje të vjetruara. Ai kërkon nga institucionet që të kenë parasysh kërkesat e tyre, meqë po punojnë në kushte të vështira./kp

Back to top button