Të hënën fillon vaksinimi i fëmijëve dhe të rinjve në Maqedoni

Ende mbetet pikëpyetje nëse nxënësit në vjeshtë do t’u rikthehen bankave shkollore për mësim me prani fizike. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut, Mila Carovska thotë se gjithçka do të varet nga situata epidemiologjike në vend. Gjithashtu thekson se Ministria është e gatshme për mësim online ose të kombinuar online dhe prani fizike, në rast se përkeqësohet situata epidemiologjike.
“Gjithsesi në rast se përkeqësohet gjendja epidemiologjike, sistemi arsimor është i përgatitur edhe për mësim online, sikurse vitin e kaluar ku dëshmuam se arritëm që 100 për qind ta realizojmë dhe zbatojmë programin arsimor. Por kemi edhe modelin e tretë, atë hibrid, që parashikon një javë gjysma e nxënësve në shkollë, gjysma tjetër online”, tha ministrja.
Nga e hëna do të fillojë vaksinimi i fëmijëve dhe të rinjve prej moshës 12 deri në 16 vjeç. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë deri dje në mesditë interes për t’u vaksinuar kanë shfaqur gjithsej 1 mijë e 623 fëmijë dhe të rinj.
“Fëmijët dhe të rinjtë e moshës 12 deri 16 vjeç që kanë shfaqur interes për vaksinim do të marrin një termin vaksinimi sot, proces që do të fillojë të hënën. Vaksinimi do të jetë në pikat ekzistuese të vaksinimit në qytet që ata kanë deklaruar gjatë regjistrimit”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Aktualisht në vend ka rreth 225 raste aktive me virusin korona. Që nga dje në dispozicion është edhe terapia më moderne për trajtimin e virusit. Sipas autoriteteve shëndetësore, vaksinimi po zhvillohet normalisht në të gjitha pikat në të gjithë vendin. Thonë se ka interes të shtuar dhe se deri më tani janë vaksinuar 440 mijë e 299 qytetarë, kurse 259 mijë e 894 janë rivaksinuar./TV21

Back to top button