Të pagjeturit janë plagë e hapur dhe dhimbje e vazhdueshme për Kosovën
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se të pagjeturit janë plagë e hapur dhe dhimbje e vazhdueshme për Kosovën.
“Dita e të Pagjeturve, shënohet pikërisht në ditën e masakrës në Meje e Korenicë ku brenda ditës u martirizuan qindra vëllezër e motra tona, vetëm pse ishin shqiptarë. Nuk rreshtim së kërkuari dhe së kujtuari. Na mungojnë çdo festë e gëzim. Plagët e luftës nuk mbyllen pa ndriçimin e fatit të tyre”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Kreu i AAK-së tha se sot e përjetë përkulet në nderim të sakrificës së Martirëve dhe Dëshmorëve të lirisë.
“Gjithashtu sot, në përvjetorin e rënies së bashkëluftëtarëve të mi, Edmond Dabiqaj, Sadri Latifaj dhe Haxhi Tolaj, nderojmë kontributin e fshatit Prejlep në Luftën Çlirimtare, Dëshmorët e Martirët që ia fali lirisë. Prejlepi ishte në vijën e parë të frontit dhe bëri rezistencën më të mirë që e meritonte agresori. Sot gjithashtu, kujtojmë bashkëluftëtarët Bekim Thaçi, Fetah Sylejmani, Isuf Dinaj, Muhamet Bardheci, Mustafë Avdullahu, Pëllumb Ademaj, Rexhep Hajdaraj, Shkelzen Brahimaj dhe Xhavit Fetahaj të rënë në betejat e fundit të prillit anekënd Dukagjinit. Sot e përjetë, përkulje në nderim të sakrificës së Martirëve dhe Dëshmorëve të lirisë”, shkroi tutje Haradinaj./21Media
