Të paktën tre të vrarë nga të shtënat në një qendër tregtare në Kopenhagë

Një person i armatosur ka vrarë tre persona dhe ka plagosur disa të tjerë, tre prej tyre në gjendje kritike, në një nga qendrat tregtare më të mëdha të Danimarkës.
Një 22-vjeçar është arrestuar dhe akuzuar për sulmin që shkaktoi panik mes blerësve në qendrën tregtare Field në jug të Kopenhagës.
Shefi i policisë, Soeren Thomassen tha se motivi ishte i paqartë dhe ai nuk mund të përjashtonte një “akt terrorizmi”, transmeton rtv21.tv.
Kryeministrja Mette Frederiksen tha se Danimarka kishte pësuar një sulm mizor.
Duke dërguar ngushëllime për ata që kishin humbur të dashurit, ajo tha se dëshironte të inkurajonte danezët të qëndrojnë së bashku dhe të mbështesin njëri-tjetrin në këtë kohë të vështirë.
I dyshuari për sulmin në qendrën tregtare kishte në posedim një pushkë dhe municion kur u arrestua.
Ai u përshkrua nga policia si një “danez etnik” dhe do të përballet me drejtësinë nga sot.
Policia thotë se nuk ka asnjë indikacion se sulmuesit e tjerë ishin të përfshirë dhe u kërkoi pronarëve të dyqaneve që të ruanin çdo pamje të mbikëqyrjes video që mund të kishin.
Field’s ka më shumë se 140 dyqane dhe restorante. Qendra tregtare shumëkatëshe ndodhet në periferi të Kopenhagës, pikërisht përballë një linje metroje që lidhet me qendrën e qytetit./21Media

Back to top button