Të rinjtë kosovarë me ambicie për t’u bërë mjekë, IT, psikologë e arkitektë

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” në tetor do të hap dyert për studentët e rinj, të cilët do t’i plotësojnë kriteret për t’u bërë pjesë e këtij universiteti.
Afati i parë i aplikimit u mbyll dje (19. 07.2022), ndërsa nga UP për portalin rtv21.tv thanë se online aplikuan 7 mijë e 700 kandidatë.
Këtë vit interesimi më i madh është në drejtimet si Mjekësi e Përgjithshme, Inxhinieri Kompjuterike, Psikologji, Arkitekturë, Gjuhë dhe Letërsi Gjermane, Gjuhë dhe Letërsi Angleze dhe Juridik.
Siç bëjnë me dije nga UP nuk është raportuar për ndonjë parregullsi.
“Gjatë gjithë procesit të aplikimit, nuk kemi pranuar ndonjë ankesë për ndonjë parregullsi të theksuar nga njësitë akademike të UP-së.”, thanë nga UP.
Por, a ekziston rreziku mbylljes së ndonjë njësie akademike për shkak të mungesës së interesimit të studentëve?
Lidhur me këtë nga UP nuk kanë dhënë përgjigje konkrete.
“Pas mbylljes së afatit të parë të konkursit, në programet në të cilat nuk plotësohet numri i studentëve sipas specifikave të programit, UP-ja do të hap konkurs plotësues.”, thuhet në përgjigjen e UP.
Afati i parë për aplikim në Universitetin e Prishtinës u hap me 12 korrik dhe u mbyll me 19 korrik, në afatin e parë do të regjistrohen 5497 studentë.
659 studentë do të jenë nga komuniteti jo shumicë , 110 studentë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanovci, 110 Maqedonia e Veriut dhe 55 nga Shqipëria.
UP-ja numëron dhjetëra programe studimore në 14 fakultete./21Media

Back to top button