Tela: Prioritet i MPB-së mbetet sundimi i rendit dhe ligjit
Këshilltarja e lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Jeta Tela tha se përkundër sfidave në katër komunat veriore, kanë qenë të përkushtuar në luftimin e pakompromis të krimit. Në takimin me qytetarë i cili po mbahet në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, ajo theksoi se prioritet i qeverisë mbetet sundimi i rendit dhe ligjit.
Jeta Tela nga Ministria e Punëve të Brendshme theksoi se ky takim është mekanizëm i rëndësishëm që qytetarët kanë për të ngritur ide, shqetësime dhe për të propozuar edhe zgjidhje.
“Prioritet i qeverisë dhe në këtë rast Ministrisë së Punëve të Brendshme ka qenë dhe mbetet sundimi i rendit dhe ligjit për më shumë siguri, si një garancë për barazi dhe zhvillim për të gjithë qytetarët dhe bashkë me qytetarët pa dallim. Misioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme është ruajtja e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës si dhe avancimi dhe modernizimi i Administratës Publike për t’i shërbyer me efikasitet, transparencë, profesionalizëm dhe paanshmëri të gjithë qytetarëve, bizneseve por vet institucioneve tona. Në këtë drejtim, Ministria e Punëve të Brendshme përkundër sfidave në vazhdimësi si institucion e sidomos në katër këto komuna ka qenë e përkushtuar në luftimin e pakompromis të krimit në njërën anë, por në vazhdimësi jemi duke bërë përpjekje që të rrisim bashkëpunimin polici-komunitet, me qëllim të rritjes së sigurisë në bashkësi, ofrimin dhe zgjerimin e shërbimeve”, deklaroi ajo.
Më tej, ajo shtoi se procesi i konvertimit të targave ka shkuar mirë dhe se përkundër dilemave është dëshmuar që kjo kontribuuan në rritjen e sigurisë në trafik. Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë afatin për konvertim të patentë shoferëve nga ata të lëshuar nga institucionet ilegale serbe në patentë shoferë zyrtar të Kosovës.
Sot është zgjatur deri më 23 gusht afati për konvertim të patentshoferëve nga ata të lëshuar nga institucionet ilegale serbe në patentshoferë zyrtar të Republikës së Kosovës.