Televizioni grek kërkon falje për paraqitjen e flamurit të Kosovës në formë të çrregullt

Federata e Hendbollit të Kosovës ka bërë të ditur se televizioni grek që e ka transmetuar ndeshjen mes Greqisë dhe Kosovës, ERT3, ka kërkuar falje për paraqitjen e flamurit të Kosovës në formë të çrregullt.
Në vend të hartës së Kosovës ishte paraqitur harta e Australisë, ndërkaq i menjëhershëm kishte qenë reagimi i Federatës së Hendbollit të Kosovës.
”Të martën televizioni grek ERT3, përmes një përgjigje për mediumin kosovar, ka kërkuar falje për lëshimin e bërë. Televizioni grek ka njoftuar se gabimi ishte i një punëtoreje që hartën e çrregullt të Kosovës e ka marrë në një faqe të internetit në gjuhën greke. Televizioni grek ka mohuar që paraqitja e çrregullt e flamurit të ketë qenë qëndrim zyrtar i televizionit”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë simbolet e shtetit kosovar janë shfaqur pa asnjë problem në ndeshje. Është paraqitur flamuri në palestër dhe është intonuar himni. Flamuri i Kosovës është paraqitur edhe në autobusin me të cilin kanë udhëtuar në Heraklion e po ashtu ka qenë i shfaqur në hotelin ku kanë qëndruar. Pritja e Federatës greke për delegacionin kosovar ka qenë shumë e mirë. Raportet mes dy federatave janë shumë korrekte./21Media

Back to top button