Tema e tërheqjes së 30% të Trustit u rikthye në Kuvend

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu sot në Kuvend ngriti sërish temën për tërheqjen e 30% të Trustit.
Ai tha se kjo është kërkesë e qytetarëve dhe PDK vetëm e ka përcjell në Kuvend.
“Ka qenë kërkesë e qytetareve që të mundësohet tërheqja e mjeteve te Trustit. Ne si parti politike me datë 9 mars e kemi proceduar në Kuvend dhe pastaj me 21 mars është përcjellë për vendim në Qeveri. Për fat të keq Qeveria e ka neglizhuar këtë kërkesë të qytetarëve, por I ka hapur rrugë Kuvendit të Kosovës për të vendosur për këtë Ligj”, deklaroi ai.
Haxhiu u bëri thirrje Komisioneve Parlamentare dhe Kryesia e Kuvendit që të trajtojnë me urgjencë këtë kërkesë.
“Nga dje ky Ligj është në duart e deputetëve. Sot kam një apel për Komisionet Parlamentare të përhershme dhe Kryesisë së Kuvendit që këtë projektligj ta trajtojë me urgjencë për shkak të krizës ekonomike dhe që në seancën e radhës të Kuvendit të kemi mundësinë që ta realizojmë këtë kërkesë të qytetarëve me qëllim që atyre t’u mundësojmë që me mjetet e tyre të menaxhojnë krizën ekonomike”, tha ai./21Media

Back to top button