Tensionet në Ukrainë: Pushtimi i Rusisë mund të fillojë çdo ditë, paralajmëron ShBA

Rusia ka trupat në vend për të pushtuar Ukrainën “në çdo kohë” dhe qytetarët amerikanë duhet të largohen brenda 48 orëve të ardhshme, ka paralajmëruar ShBA.

Një pushtim mund të fillojë me bombardime ajrore që do të vështirësojnë nisjet dhe do të rrezikojnë civilët, ka thënë Shtëpia e Bardhë të premten.

Një mori vendesh të tjera u kanë kërkuar gjithashtu shtetasve të tyre të largohen nga Ukraina.

Moska ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo plan për të pushtuar Ukrainën, pavarësisht se grumbullon më shumë se 100,000 trupa pranë kufirit.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka akuzuar të premten vendet perëndimore për përhapjen e informacionit të rremë, shkruan BBC, përcjell rtv21.tv

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan ka thënë se forcat ruse tani janë “në një pozicion për të qenë në gjendje të ndërmarrin një aksion të madh ushtarak”.

“Ne padyshim nuk mund të parashikojmë të ardhmen, nuk e dimë saktësisht se çfarë do të ndodhë, por rreziku tani është mjaft i lartë dhe kërcënimi tani është mjaft i menjëhershëm sa që [largimi] të jetë i kujdesshëm”, ka thënë ai.

Sullivan ka shtuar se administrata nuk e ka ditur nëse presidenti rus Vladimir Putin kishte marrë një vendim përfundimtar për të pushtuar, por ka deklaruar se Kremlini ishte duke kërkuar një pretekst për të justifikuar veprimet ushtarake, të cilat ai ka thënë se mund të fillonin me bombardime intensive ajrore.

Komentet e tij kanë ardhur pasi zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruarnjë grumbullim të mëtejshëm të trupave ruse në kufijtë e Ukrainës gjatë javës së kaluar dhe kanë planifikuar stërvitje ushtarake ruse në Detin e Zi, në ditët në vijim.

Më herët, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka deklaruar se rritja e forcave ruse në kufi ishte “shenja shumë shqetësuese të përshkallëzimit rus”.

“Ne jemi në një dritare kur një pushtim mund të fillojë në çdo kohë, dhe për të qenë të qartë, kjo përfshin edhe Lojërat Olimpike [të cilat përfundojnë më 20 shkurt], ka thënë Blinken./21Media

Back to top button